Politike
Kryezëdhënësi i Berishës: Këta ngordhin të takojnë Doktorin, por ai i shikon me shpërfillje si orendi
Kryezëdhënësi i Sali Berishës, Alfred Lela, ka reaguar pas caktimit të masës “detyrim paraqitje” për shefin e tij.
“Këta ngordhin të takojnë Doktorin.
Vendimi i Gjyqtarit të Apelit është i pakuptimtë, tendencioz dhe, rrjedhimisht, politik. Berisha është aktualisht në një proces gjyqësor, pasi akuza i ka përmbyllur hetimet dhe e ka çuar dosjen në Gjykatë. Në këtë faze, pse duhet thirrur në Policinë gjyqësore 2 herë në muaj? Për të raportuar për çfarë?
Është thjesht një operacion propagandistik i partisë në pushtet në kuadër të framing (kornizimit) të zgjedhjeve parlamentare të majit, me synim këndelljen e socialistëve me “Armikun nr. 1”- që shkon në Gjykatë-, dhe përpjekje për të dekurajuar demokratët me idenë ‘nuk kanë mbaruar telashet e Doktorit”.
Ata që shtyjnë idenë e një bashkëpunimi PS-PD, kanë marrë sigurisht një përgjigje, por kjo nuk do i pengojnë të shpikin një kënd të ri detraktues për opozitën dhe Berishën.
Doktori do vijojë i pashqetësuar duke i parë, siç shpesh, kundërshtarët e tij me të njëjtën shpërfillje që sheh orenditë e shtëpisë. Dy herë në muaj në Gjykatë, pra edhe dy deklarata për shtyp, janë asgjë në rezervuarin e një individi që kryen prej 27 nëntorit 4-5 aktivitete publike në ditë”, shkruan ai.