Connect with us

Kosova

Kryeministria jep detaje nga telefonata e Kurti me Chollet

Zyra për Media e kryeministrisë përmes një komunikate për media ka dhënë detaje për bisedën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar të premten me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.  

Siç njofton ZKM, në këtë bisedë është diskutuar për planin franko-gjerman të cilin Kosova e konsideron” të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel”, raporton Express.

Në këtë bisedë telefonike Kurti-Chollet, sipas kryeministrisë është diskutuar edhe për rëndësinë e avancimit të Kosovës në integrimet ndërkombëtare “në kohën kur të arriturat demokratike dhe ekonomike të Kosovës në këto dy vitet e fundit janë evidentuar nga shumë organizata e institute ndërkombëtare prestigjioze”.

Në këtë bisedë Kurti ka konfirmuar gatishmërinë për takime të radhës të nivelit të lartë dhe ka shprehur pajtueshmëri për nevojën që të ketë intensifikim të procesit të negociatave.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim./Express/

lajmi ne perditesim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe këshilltari amerikan, Derek Chollet të premten kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ndërsa kanë biseduar për dialogun Kosovë-Serbi dhe propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Chollet, përmes një postimin në Twitter, ka thënë se SHBA-të mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së. “Kam folur sot me kryeministrin Albin Kurti. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. “Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka shkruar Chollet, transmeton Telegrafi. Ndërkaq, pas bisedës së Kurtit me Chollet ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Hovenier këtë koment e ka bërë duke reaguar në një Twitter të këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili tregoi se sot ka folur me kryeministrin Albin Kurti.

“Ne do të mbështesim plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së. Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Hovenier, transmeton Telegrafi.

 

 

Advertisement