Connect with us

Shkrime

Kthesa 180 gradë e Kurtit/ Pse ndodhi dhe përse duhej…

Nga Xhezair Dashi

Nuk vendoset kali para qerres”. Ka qenë ky proverbi me të cilin ka operuar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur linte të kuptonte, se kishte pranuar Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, por se ajo është “qerrja”, pra hapi i fundit, e jo “kali” që duhet ta tërheq atë, pra marrëveshja.

Me këtë idiomë ai I mëshonte ndërkombëtarëve në logjikën e tyre negociuese se po e shtronin mbrapsht shkak-pasojën dhe renditjen e natyrshme të ngjarjeve.

Me një stërthjeshtim të këtillë, Kurti prodhonte edhe kuptimësinë për shtratin elektoral të tij. “Nuk mund të shërbej kafe pa filxhan”, ishte idioma e dytë e kryeministrit. Thirrja ishte: njëherë Serbia të njohë konkretisht (de facto) Kosovën, pastaj shihet servimi në atë konkretësi edhe një aranzhim konkret komunash. S’ka ndryshe, besonte ai.

Megjithatë, pala serbe, do të dilte me logjikën e saj të “kalit” dhe “qerres” kur do të tërhiqeshin nga institucionet kosovare që nga nëntori i vitit të kaluar. Ivica Daçic, ministër i jashtëm serb, do të arsyetonte nga përvoja e tij e nënshkrimit të Marrëveshjes së vitit 2013 kësisoji: njerëzit po harrojnë, por edhe Marrëveshja e nënshkruar nga unë dhe Thaçi ishte ajo që futi serbët në institucionet e Kosovës dhe në zgjedhje, dhe ky kusht kishte Asociacionin. Asociacioni nuk është bërë. Serbia, kësisoji, do të kishte kthyer Marrëveshjen e 2013 si “kalë” të saj me Asociacionin si ngasës, dhe kishte vendosur si “qerre” krejt atë që do pasonte mbrapa saj.

Këtu, palët do të dilnin me “kuajt” dhe “qerret” e tyre. Serbia, i qëndroi kësaj deri në shkundjen e plotë të besueshmërisë ndërkombëtare ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ku top-diplomati amerikan Anthony Blinken dhe top-diplomati evropian, Josep Borrell, do t’i mëshonin Kosovës si asnjëherë më parë se ishte nisur me “kalë e qerre” të veten të premten e kaluar me një aparaturë të tërë forcash policore për të marrë me forcë godinat zyrtare komunale. Ishte një eksplozion jashtë dhe brenda. Albin Kurti, s’do ta kishte për mbështetës as Shqipërinë, në nismën e tij.

Përtej çdo paramendimi, Aleksandër Vuçiç, ia doli ta vendos Kurtin në pozitë globalisht fajësuese. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, në nivelet më të larta, do drejtonin gishtin nga Albin Kurti.

Prandaj, edhe per te gjetur zgjidhjen e situates se krijuar, ata nuk do ta kerkonin me prej tij, por përmes Vjosa Osmanit, e cila u pajtua të zhvillojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të vendit.

Por, zgjedhje po se po. Shtohej edhe diçka tjetër. Asociacioni.

Paskesaj Kurti do të merrte menjëherë një telefonatë nga Shtëpia e Bardhë, ku do të pajtohej për zgjedhje të reja. Një javë dramë, do të mbyllej me një telefonat nga një zëvendës në Këshillin e Sigurisë kombëtare. Me pak fjalë, Kurtit, s’i eci qerrja.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimeve me Macron-in dhe Borrell-in, tha se ka marrë mbështetjen e tyre për ngjarjet në veri, për çka u shpreh se (nëse mund t’i besohet) njëherë themelimi i Asociacionit e vetëm “mëpastaj mund të bisedojmë për tjerat gjëra”.

Advertisement