Shkrime
Ku mund të qahesh kur të shkep Kadiu?
Nga Lorenc Vangjeli
“Ku mund të qahesh kur të shkep Kadiu?”. Sali Berisha e la pezull në ajër këtë pyetje dhe u përgjigj vetëm me një të qeshur shpërthyese. Ky dialog pyetje pa përgjigje – e qeshur pas pyetjeje, u konsumua në lulishten përpara Galerisë së Artit në Tiranë, në festimet për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Dymbëdhjetë vjet më parë, një trup gjykatësish të Kolegjit Zgjedhor i kishin grabitur në tavolinë bashkinë Edi Ramës dhe Berisha nuk e fshihte ngazëllimin përballë një turme servilësh që rrekeshin të dukeshin më të gëzuar se ai vetë, kundërshtarësh që megjithatë i buzëqeshnin, neutralësh që rrekeshin t’i dilnin në rrezen e vështrimit dhe gjithë trupit diplomatik që së paku sipërfaqësisht, e shihnin si yllin e mbrëmjes. Pak metra larg tij, Lulzim Basha rrinte si dhëndër i ngrirë. Si ata djemtë e katalogut që i buzëqeshnin grave të fisit që kërcenin me çarçafin e përgjakur të natës së parë.
Çarçafin që e kishte klasifikuar në burrë. Edhe nëse për pak nuk kishte arritur ta bënte djali, babai i kishte dhënë të shtyrën e fundit votës brenda. Por fati flet një gjuhë që pak kush e kupton. Fati, njëlloj si Dante Aligeri, ka dëshmuar se nuk ka vuajtje më të madhe se “…kur kujton kohët e lumtura në mjerim!”. E premtja në mbrëmje, 3 marsi i 2023-shit kur Apeli rrëzoi vendimin Zhukri dhe riktheu çështjen e Vulës për rigjykim, është momenti i përkryer që Sali Berisha të kujtojë pikërisht atë mbasdite të largët korriku dhe rrugëtimin e tij të gjatë në majat plot thepa e rripa të Shqipërisë.
E megjithatë, kjo është vetëm dukja. Në thelb, vendimi i Gjykatës së Apelit i ka lënë të gjithë të kënaqur. Edhe ata që e mallkojnë, edhe ata që festojnë.
Krejtësisht ndryshe nga sa tha dhe pritej të thoshte, që vendimi ishte shkruar në zyrën e Edi Ramës, se ai minon pluralizmin, se është fundi i drejtësisë, etj, etj, Sali Berisha ishte fitimtari klasik i kësaj humbjeje as mish, as peshk. Me kuota të rëna përtokë, me një parti të përçarë dhe me një rresht kandidatësh për zgjedhjet vendore përballë kandidatëve unikë të PS-së për çdo bashki, Berisha e di që rezultati i zgjedhjeve është i përcaktuar që përpara se të shkojnë shqiptarët në votime. Shto këtu edhe makinerinë elektorale të kundërshtarit, tashmë të sofistikuar edhe në marifete zgjedhore që janë shpesh në kufijtë e ligjit, më shumë se vulës së partisë, Berisha i lutej vulës së alibisë. Në të gdhirë të 15 majit, ai tashmë ka në xhep shpjegimin për humbjen e zgjedhjeve. Votëbesimi i detyruar në Këshillin Kombëtar, siç kërkon statuti i partisë së tij, nuk do të jetë më aq poshtërues sepse të gjithë do të thonë se vula e munguar ishte shkaku i humbjes dhe jo dështimi i Sali Berishës për të shndërruar formacionin e tij politik nga një opozitë reale siç arriti ta bëjë, në një alternativë për të ardhur në pushtet.
Edhe pse do të përdorë të njëjtën frazeologji dhe të njëjtën tipologji mallkimesh për Edi Ramën si varrmihës i demokracisë dhe pluralizmit, Ilir Meta ka çdo arsye që të jetë i lumtur për vendimin e Apelit. Tanimë, edhe më shumë se më parë, ish-armikmiku i tij i tre dekadave, ka nevojë edhe më të dëshpëruar për të. Meta do ta afrojë me dëshirë siglën e partisë së tij, qoftë dhe pa ndryshuar qeranë e saj, për të regjistruar kandidatët e Doktorit në zgjedhje. Rëndësia e tij dhe pesha specifike e Partisë së Lirisë në koalicion merr një dimension tjetër dhe shumë nga demokratët e selisë, që e shohin atë shpesh me dyshim, kuptojnë se shpatullat e Metës janë për momentin të vetmet mbas të cilave duhet të fshihen që të ngrihen.
Me të gjitha gjasat nuk është kursyer shampanja edhe në kampin e përçarë Basha-Alibeaj. Ish-kryetari dhe zëvendësuesi i tij që tashmë prej kohësh kanë me njëri-tjetrin marrëdhënien e teshtimës me shaminë, janë të lumtur për çfarë ndodhi në Gjykatën e Apelit. Edhe pse nuk kanë asnjë shans praktik të rikthehen në selinë e partisë nga ku kanë ikur në drejtim të paditur si muhaxhirë, me vulën në xhep, këta vanitozë politikë mund të legalizojnë dy-tre dyzina me kandidatë për bashkitë e vendit. Edhe pse nuk do të fitojnë askund, Rama nuk do të jepte pazar as për Roskovecin, fjala vjen, ata do të mbajnë shënim me ngazëllim, sesi edhe Berisha do të dërmohet në zgjedhje. Humbja e tij është e vetmja fitore që ata presin nga 14 maji.
Në sezonin e tij më të vështirë parlamentar, Edi Rama, edhe nëse është brenda vendimit të Apelit siç shpresojnë mbështetësit e tij dhe besojnë se është kritikët e tij, edhe nëse është jashtë tij, siç ndoshta mendojnë të tjerët, nuk mund të merrte dhuratë më të madhe. Ai ka nevojë jo për Berishën dhe “AliBashën” veç e veç, por për të dy ata të ndarë nga armiqësia. I treti i lumtur mes dy palëve që rruajnë me vulë mustaqet e Çelos, ai e sheh gjithmonë e më larg briskun nga mjekra e tij. Pushteti i tij ka nevojë të ushqehet edhe me më shumë pushtet dhe 14 maji është mundësia e artë që ai të shpallet triumfues përballë atyre që dinë të krijojnë ekzaktësisht të gjithë elementët e humbjes.
Thuhet shpesh që diçka që nuk blihet me para, mund të blihet me më shumë para. Të vetmet gjëra që nuk mund të blihen edhe me më shumë para, mund t’i marrin amerikanët. Në kohët moderne, kjo është një aksiomë që bën mirë të kuptohet përfundimisht në Tiranë. Dhe sa më herët aq më mirë! Me shumë gjasa, ata që ishin të aftë që të çojnë për herë të parë njeriun në Hënë, mund të kenë parashikuar se nuk ka asnjë derë ku të shkosh të qash e të ankohesh kur të shkep Kadiu!.
Ka vetëm një ngushëllim për gjithë spektatorët e “BBP”, Big Brother-it Politik shqiptar. Herët a vonë të gjithë do të kalojnë në shtratin e Kadiut. Të gjithë së bashku janë të paaftë ta ndalojnë këtë short. Dhe siç këshillonte dikur Konfuci, e vetmja gjë që mund të bëhet kur kundërshtari merr frymë thellë mbas shpinës së “viktimës”, është të mos bëhet asgjë. “Thjesht rri e prit deri sa ai të ikë vetë. Çdo lëvizje, vetëm sa i bën qejfin …Kadiut!”, këshillonte dikur Konfuci. Me shumë gjasa i konfirmuar edhe nga Tirana e sotme politike.