Connect with us

Shkrime

Ku po e çon Kosovën rruga e SHBA?

Profesori amerikan i ‘John Hopkins’, Daniel Serwer, ka komentuar letrën e dy bashkëkombësve të tij, Këshilltarit të Departamentit të Shtetit Derek Chollet dhe Zëvendësndihmës Sekretarit Gabriel Escobar, mbi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, letra e hapur e dy personaliteteve amerikane ka për qëllim t’i bëjë presion kryeministrit Albin Kurti për të ndryshuar qëndrimin e tij ndaj Asociacionit, për të cilin Serwer thotë se ai ka qenë i gatshëm ta konsiderojë vetëm në kontekstin e njohjes nga Beogradi të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës.

Sipas tij, “Serbia ka refuzuar ta bëjë këtë. Prandaj, letra  Chollet-Escobar është e njëanshme dhe nuk i ofron asgjë Prishtinës në këmbim të përmbushjes së një prej objektivave kryesore negociuese të Beogradit. Në thelb letra e hapur thotë “Amerika është miku juaj më i mirë, ju na e keni borxh këtë për shkak të mbështetjes që ju kemi dhënë. Per profesorin amerikan kjo nuk është gjë tjetër veç bullizëm diplomatic dhe momente të ngjashme në të kaluarën kanë sjellë zhgënjime për Kosovën.

Daniel Serwer ka folur edhe për qëllimet e presidentit serb mbi krijimin e këtij Asociacioni në Kosovë. Sipas tij, “Ajo që kërkon presidenti Vuçiç është bekimi zyrtar për kontrollin hegjemonist të popullatës serbe në Kosovë. Ky kontroll tashmë ekziston, veçanërisht në katër komunat veriore të afërta me Serbinë. Beogradi i ka kontrolluar për dy dekada qeveritë e tyre, sistemet arsimore dhe shëndetësore, policinë dhe gjykatat. Paratë rrjedhin drejtpërdrejt nga Beogradi në këto institucione dhe punonjësit e tyre. Pak gjë do ndodhte në komunitetet serbe veriore që Beogradi nuk do të mund ta ndryshonte nëse do ta bënte këtë. Kjo përfshin aktivitetet e shumta të krimit të organizuar”.

Profesori amerikan theksoi gjithashtu se Serbia dëshiron që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë këtë kontroll etnik.

Në realitet, Beogradi u thotë shpesh diplomatëve perëndimorë se objektivi është një marrëveshje më e mirë për komunitetin serb në Kosovë. Ajo po ndjek objektiva të ngjashme edhe në Bosnje dhe Mal të Zi. Por brenda Serbisë kjo shtrirje e kontrollit të Beogradit te serbët etnikë përtej kufijve të Serbisë quhet “bota serbe”, një term që ngjall debate të forta në Ballkan.

Ndërkaq, Serwer është deklaruar edhe për atë pas së cilës qëndron kryeministri Kurti.

Sipas tij, “Kryeministri Kurti dëshiron një vend sovran me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e tij dhe pa privilegje etnike në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo do të linte pa mëdyshje autoritetin në duart e shqiptarëve, pasi ata përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë.

Këmbëngulja perëndimore, por sidomos ajo amerikane për themelimin e asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur, ka krijuar lëmsh politik jo vetëm në mes rradhëve të pozitës dhe opozitës, por edhe qytetarët e thjeshtë, të cilët I tremben me të drejtë krijimit të një tjetër “Republika Serbska”, nuk po din se ku do e çojë Kosovën kjo këmbëngulje e SHBA.

Dje, Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka dalë me një deklaratë pas përfundimit të takimit lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përmes një postimi në Twitter, ambasadori ka shkruar se SHBA vazhdon të bëj avokatin për zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut Kosovë-serbi.

Po dje, Ministrja e punëve të jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, me tone jo fort të qeta, përmes një postimi në twitter kujtoi se Kosova ofron kornizën më të avancuar për të drejtat e pakicave në Evropë dhe se duhet të refuzohet çdo model Asociacioni që i mundëson Serbisë të minojë sovranitetin e Kosovës.

Mendjet janë të nxehta, tonet të larta dhe ‘shpatat e mprehura’, mesa duket ditë jo të afërta do na qartësojnë me atë çfarë do të ndodhë. Le të presim…

Advertisement