Connect with us

Lifestyle

Ku po shkon kjo botë?

Përfytyrimi i njeriut për të ardhmen shpesh ka qenë veçse një iluzion megjithatë e ardhmja nuk është ndjerë asnjëherë më e pasigurt se në ditët që po jetojmë. “Ku po shkon kjo botë”?- këto ditë e kam dëgjuar disa herë pyetjen retorike e cila lind vetvetiu sa herë ndeshemi me lajmet për pandeminë, tërmetet apo sulmet terroriste…

Shija e ëmbël e pushtetit po e hidhëron këtë botë.Bota duket sikur “ka humbur kontrollin” dhe ne ndjehemi spektatorë të një filmi, në pamundësi për të ndryshuar skenarin, duke harruar se jemi vetë protagonistë. Kjo botë merr drejtimin e gabuar, sa herë që ti mendon se ndryshimi që përcjell është mospërfillës, se nuk mund të bëjë diferencën dhe se gjithçka është në dorën e fatit. Sa herë që nuk jemi mirënjohës, sa herë që nuk tregohemi falenderues, sa herë që nuk dhurojmë dashuri pa kushte, sa herë që dashurinë për para e kemi vënë mbi gjithçka…

Sa tërmete duhet të ndodhin për të na e kujtuar?

Gjithçka e kemi kthyer në një garë të pahijshme, por mbi të gjitha të panevojshme.

Garojmë me kë dhe për çfarë?

Konkurenca gjithmonë ka përmirësuar cilësinë por një lule asnjëherë nuk ka lulëzuar për hir të një tjetre. Bota e madhe jemi ne, jemi ai rrethi i ngushtë që e perceptojmë si të padëmshëm dhe të parëndësishëm, jemi shoqëria, jemi familja jonë e vogël. Nëse e kemi kthyer atë në një ambient toksik, kemi “ndërtuar” botën, kemi dëmtuar botën. Jemi ne shkaktarët, ne që me egoizmin tonë po largojmë njerëzit, me dashakeqësinë apo pakujdesinë tonë po i lëndojmë ata.

Ne narcistët e sëmurë përpara ekraneve të celularëve, jemi bërë të gjithë njësoj, me gishtin drejtuar nga njëri-tjetri.

Të gjithë fajësues, të gjithë fajtorë.

Dëshpërimisht kërkojmë të jemi më të mirët dhe nuk ka asgjë të gabuar lidhur me këtë, por shpesh kërkojmë ta arrijmë duke shkelur apo penguar të tjerët. Jemi një shoqëri penguese, një shoqëri që nuk ta thjeshtëson ecjen përpara, përkundrazi, përpiqet ta ndalojë me format më të ashpra të të shprehurit dhe mënyrën se si të bën të ndihesh.

Kjo shoqëri ka një bosht ku mbështetet me emrin “zili”, të cilin e ushqen me injorancë, errësirë dhe mungesë kurajoje. Deri në një moment të dytë, kur shoqëria të filtrojë mendimet, të hapë perdet dhe të arrijë të shohë horizonte të pastra, bota nuk do të jetë një vend më i mirë. Vendin më të mirë e krijojmë ne, tek unë dhe tek ty fillon dhe mbaron kjo botë.

 

Kjo është mendësia, kjo është e vërteta.

Fëmija yt nuk është më i mirë nëse ti vazhdimisht përpiqesh të bullizosh mikeshën tënde lidhur me fëmijën e saj.

Bota bëhet një vend më i keq sa herë që ti e bën këtë.

Trupi yt nuk është më i bukur, nëse ti vazhdimisht përpiqesh të vësh në dukje kilogramët e tepërt të mikes tënde më të ngushtë. Kjo nuk do të bëjë as ty të ndihesh mirë, të paktën jo për shumë gjatë…

Mendja jote nuk mund të zgjerohet nëse vazhdimisht përpiqesh të sulmosh një të paditur. Ky është vetëm një tregues i paditurisë tënde. Ne lartësohemi duke ngritur të tjerët, vetëm atëherë mund të bëhemi më të mirë. Në anije ka vend për të gjithë, është energjia negative që po e fundos atë çdo ditë. Prandaj, mos pyet “Ku po shkon kjo botë”, për sa kohë të gjithë kemi një timon në dorë!

“Psikologjia”

Ambra Hysa/

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *