Kosova
KUAJT e Serbisë në dhomën e pritjes, miqtë e lindjes ofrojnë ëmbëlsira
Pas vizitës së presidentit kinez në Beograd, pati mesazhe lavdëruese se si Serbia po zhvillon një politikë “të pavarur” në raport me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kina është një partner tradicional dhe besnik me regjimin e presidentit rus Vladimir Putin, jo vetëm në lidhje me luftën në Ukrainë, por edhe me të gjitha konfliktet dhe luftërat e tjera në mbarë botën, si dhe kundër BE-së dhe SHBA-së.
Fakti që regjimi i Aleksandër Vuçicit po devijon gjithnjë e më shumë nga rruga e shpallur evropiane, si dhe se, pas zgjedhjeve të dhjetorit të kaluar, presidenti serb u dënua nga pothuajse të gjithë liderët evropianë, me akuzat se i vodhi ato, për refuzimin për tu harmonizuar me politikën e jashtme evropiane dhe për mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë si edhe në lidhje me zgjidhjen përfundimisht të çështjes së Kosovës, tani shtrohet pyetjen nëse Serbia ka hequr dorë përfundimisht nga integrimi në BE.
“Vite më parë, takimet me zyrtarë të lartë nga Brukseli u cilësuan si të vështira dhe të dhimbshme, gjë që shkon paralelisht me narrativën se Bashkimi Evropian është ai që shantazhon dhe po bën presion ndaj Serbisë dhe se miqtë e sinqertë janë diku në lindje” – tha për median serbe Danas, gazetarja Sofija Popoviç, e cila gjithashtu duke komentuar vizitën e presidentit kinez, shtoi se “edhe më optimistët e kanë të vështirë të besojnë se Serbia sot e dëshiron vërtet Bashkimin Evropian”.
“Teksa politika e zgjerimit është lart në agjendën e Bashkimit Evropian dhe ndërsa procesi dominohet nga çështjet politike, kjo qasje nuk është diçka që do ta ndihmojë Serbinë të afrohet me Bashkimin Evropian” – theksoi e intervistuara e Danas.
Sipas saj, deri më tani qeveria në Serbi ka pasur si argument të fortë se Bashkimi Evropian nuk dëshiron zgjerimin dhe se progresi i ngadalshëm nuk është faji qeverisë serbe, por i Brukselit.
“Nëse administrata e re e Brukselit është vërtet konsistente në premtimet e fundit për të aktivizuar politikën e zgjerimit dhe për të pranuar shpejt disa vende, si Mali i Zi, argument i Vuçiçit bie në ujë.Pas më shumë se dhjetë vitesh retorikë të vazhdueshme anti-evropiane, burimi i së cilës janë zyrtarët më të lartë shtetërorë në Beograd, pikëpyetja e madhe është nëse publiku do ta vinte nën përgjegjësi qeverinë aktuale, pasi Serbia po mbetet në dhomën e pritjes, ndërsa vendet e tjera po hyjnë në BE” – potencoi gazetarja serbe.Dje, ambasadori i Bashkimit Evropian, Emanuel Zhiofre, tha se me mesazhet e presidentit kinez, Serbia e ka vënë veten në një rrugë ku nuk është e qartë nëse po heq dorë nga integrimet evropiane. Ai gjithashtu theksoi se BE-ja është partneri më i madh tregtar me Serbinë, kurse Kina renditet në vendin e tretë. Bojana Selakoviç, koordinatore e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, theksoi për Danas se ardhja e presidentit kinez në Beograd duhet parë si pjesë e gjithë turneut të tij evropian, qëllimi kryesor i të cilit është përpjekja për të ndikuar në marrëdhëniet mes Evropës dhe Amerikës duke thelluar dallimet në Bashkimin Evropian.
Sipas saj, për shkak të qëndrimeve të ndryshme brenda vetë BE-së dhe për shkak të luftës aktuale për lidership thelbësor evropian, shton ai, reagimet e BE-së për këtë qëndrim të Serbisë aktualisht mungojnë, por ato kanë ardhur nga pala amerikane.
“Mënyra se si aktorët perëndimorë do ta trajtojnë këtë qëndrim të Serbisë në të ardhmen do të përcaktojë edhe të ardhmen e integrimit evropian të Serbisë” – potencoi Bojana Selakoviç.