Bota
Kufiri me BE i bllokuar nga fermerët polakë, Zelensky kërkon ndërhyrjen e Brukselit për shuarjen e tensioneve
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të ndërhyjë për të shmangur atë që ai e quan “manipulim politik” të një mosmarrëveshjeje midis Ukrainës dhe Polonisë mbi importet bujqësore.
Teksa fermerët polakë bllokuan kufirin me fqinjin e tyre të goditur nga lufta në shenjë proteste për konkurrencën e pandershme, Zelenskyy paralajmëroi Brukselin se nëse nuk ndërhynte, Moska mund të përfitonte nga marrëdhëniet e tensionuara midis Kievit dhe Varshavës.
Në një video-deklaratë të publikuar, presidenti i Ukrainës i kërkoi drejtpërdrejt kryeministrit polak Donald Tusk që t’i bashkohej personalisht për bisedimet mbi kalimin kufitar të bllokuar, duke shtuar se ai kishte ftuar gjithashtu një përfaqësues të Komisionit Evropian.
“Ne duhet të ruajmë unitetin e Evropës. Kjo është thelbësisht në interesat e Bashkimit Evropian,” tha Zelenskyy.
“Na mjaftoi prania e Moskës në tokat tona. Kemi pasur mjaft keqkuptime. Nuk duhet të poshtërojmë njëri-tjetrin, nuk duhet të poshtërojmë as fermerët ukrainas apo polakë,” shtoi ai.
“Ne kemi nevojë për unitet. Ne kemi nevojë për zgjidhje – mes nesh, Ukrainës dhe Polonisë, dhe në nivelin e të gjithë Evropës.”
Por kur u pyet të enjten për apelimin e drejtpërdrejtë, Komisioni nuk mund të konfirmonte nëse ekzekutivi kishte marrë një ftesë zyrtare nga qeveria ukrainase. Një zëdhënës pranoi se situata ishte “komplekse” dhe “në zhvillim” dhe theksoi se negociatat midis Ukrainës dhe vendeve kufitare ishin mënyra e vetme për të hartuar një zgjidhje të qëndrueshme.