Kosova
Kufiri ndryshohet me forcë/ Knaus: Synim, edhe largimi i policisë nga Veriu
Kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, ka thënë se qëllimi i Serbisë me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ishte “që të ndryshonte kufijtë perms përdorimit të forcës”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai u shpreh se qëllim tjetër i Beogradit ka qenë edhe “që të largojë Policinë e Kosovës nga Veriu”. “Kjo gjë do ti mundësonte futjen e armëve, siç ka ndodhur me muaj të tërë, përmes rrugëve të kontrabandës, të cilat Policia e Kosovës ka tentuar t’i mbyllë” – tha Knaus duke theksuar: Me më shumë armë në Veri, kolapsin e institucioneve dimrin e kaluar, me gënjeshtrat dhe urrejtjen nacionaliste që po ushqehen mediat e afërta me regjimin e Vuçiç, të gjitha përgatitjet po bëhen për një konfrontim të armatosur, të cilin Serbia shpreson dhe beson ta fitojë” I pyetur për përfshirjen e mundshme të Federatës Ruse në këtë sulm terrorist, ai theksoi se nuk është e nevojshme për një lidhje me Moskën për të shpjeguar atë që ndodhi. – “Ajo që dimë është se Rusia ka mbështetur udhëheqësit serbë, retorikën dhe veprimet e saj në Kosovë”. Bashkimi Evropian, pohoi Knaus, duhet ta shohë situatën “si kambanë alarmi dhe të kuptojë se çfarë nuk ka funksionuar, pasi dialogu që ka ndërmjetësuar, ka dështuar plotësisht”. “Dialogu është bërë problem dhe jo zgjidhje dhe nuk mund të presësh që diçka pozitive të dalë nga ky proces. Në vend të kësaj Bashkimi Evropian duhet të angazhohet drejtpërdrejt dhe veçmas me Kosovën dhe Serbinë, Kujtojmë se një grup i armatosur terrorist të dielën e 24 shtatorit, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç, morri përgjegjësinë për këtë sulm, u arrestua dhe u la i lire pas 24 orësh. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e dënuan këtë sulm, dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake. Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.