Connect with us

Kosova

KUJDES më 27 maj, ‘Octopus’ zbulon planet e luftës së Serbisë   

Instituti për Studimin e Luftës Hibride “Octopus” ka publikuar së fundmi një analizë rreth deklaratave të presidentit serb Alkesandër Vuçiç dhe atij rus, Vladimir Putin si dhe për sulmet në Moskë.

Analiza identifikon një retorikë të përbashkët mes presidentit rus dhe presidentit serb, në lidhje me konfliktet në Ukrainë dhe Kosovë, si dhe reagimin ndaj sulmeve në Moskë.

Presidenti i Serbisë ka kërcënuar perëndimin se ata duhet të zgjedhin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se nëse zgjedhin Kosovën, Serbia do të “presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojnë mundësinë”.

“Deklarata e Vuçiçit është përgatitje e diskursit dhe terrenit politik për veprime paraushtarake dhe ushtarake që synojnë t’i ndërmarrin në kuadër të përkrahjes që i vjen nga Rusia dhe Kina. Këto dy vende së fundmi bashkë me vendet anëtare të BRICS kanë qëndruar të vëmendshme ndaj thirrjeve për dërgimin e  trupave të NATO-së në Ukrainë” – thuhet në analizën e “Octopus”.

Sipas kësaj analize Kuvendi ortodoks serb në Beograd dhe avancimi i Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës, si dhe reagimet e liderëve serbë dhe Malit të Zi, shënojnë momente kyçe.

“Përveç kësaj, refuzimi i Kinës dhe Rusisë për të përkrahur rezolutën në OKB për armëpushim në Gazë, së bashku me njoftimin e Rusisë për formimin e një force ushtarake prej 100 mijë ushtarësh për një ofensivë në Ukrainë, janë faktorë të rëndësishëm”- thuhet në njoftimin për media.

“Octopus” shton se Serbia dhe Rusia po shfaqin potencial për të ndërmarrë veprime për të shtuar tensionet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë para datës 27 maj.

Avancimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dëshmon për intensifikimin e konflikteve globale dhe rajonale. Rusia dhe BRICS interesohen për të ruajtur konfliktet aktuale dhe për t’i zgjeruar ato, duke preferuar vazhdim dhe zgjerim të luftës”- thuhet më tej në analizën e këtij instituti.

“Octopus” ka dalë edhe me pesë konkluzione pas kësaj analize. Ky institut vlerëson se:

  1. Bashkëpunimi i Vuçicit dhe Putinit në retorikë dhe qëllime, tregon për një qasje të koordinuar ndaj sfidave të përbashkëta të destabilizimit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
  2. Angazhimi i Kishës Ortodokse Serbe në një kuvend në një datë të shenjtë ndërton një narrativë të përbashkët për mbrojtjen dhe përhapjen e interesave ortodokse në rajon.
  3. Avancimi i Kosovës në strukturat ndërkombëtare ka shkaktuar tensione të mëdha dhe ka rritur mundësinë e konflikteve të reja, veçanërisht në kontekstin e mospranisë së Serbisë dhe Rusisë për t’i pranuar këto zhvillime.
  4. Refuzimi i Rusisë dhe Kinës për një rezolutë për armëpushim tregon përpjekje për të ruajtur status quo-n në rajon dhe për të hapur hapësira të reja për konflikte.
  5. Njoftimi për formacionin e ri ushtarak rus për një ofensivë potenciale në Ukrainë tregon për një situatë të tensionuar dhe mundësinë e eskalimit të konflikteve në rajon në të ardhmen.
Advertisement