Politike
Kundër rritjes së pagës/ Kushtetuesja i reagon ashpër Ramës dhe Berishës: Jemi të pavarur…

Ka reaguar gjykata kushtetuese përmes nje njoftimi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe ish kryeministrit Sali Berisha që kanë dalë kundër padisë së gjyqtarëve për ngritjen e pagave, një padi e cila është kaluar në seancë plenare dhe pritet të hapet shqyrtimi.
“Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.
Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”, shkruan Gjykata Kushtetuese.

