Connect with us

Bota

Kundërofensiva e heshtur/ Hamasi rikthen fshehurazi kontrollin mbi Gazën, teksa Plani i Trump po ecën avash

Nga kontrolli i çmimit të pulës deri te taksimi i duhanit, Hamasi po përpiqet të zgjerojë kontrollin e tij mbi Gazën ndërsa planet amerikane për të ardhmen e saj po ecin ngadalë, raporton agjencia Reuters. Pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi në tetor të kaluar, lëvizja islamiste mori shpejt kontrollin e zonave nga të cilat Izraeli ishte tërhequr, duke vrarë dhjetëra palestinezë që akuzonte për bashkëpunim me shtetin hebre, për vjedhje ose krime të tjera. Fuqitë e huaja kërkojnë dorëzimin e armëve nga grupi dhe largimin e tij nga qeveria, por ende nuk është gjetur një marrëveshje se kush do ta zëvendësojë. Një duzinë gazanësh thanë se po ndjejnë gjithnjë e më shumë ndikimin e Hamasit.

Autoritetet e kontrolluara nga lëvizja mbikëqyrin gjithçka që hyn në zonat nën ndikimin e tyre, vendosin taksa mbi disa produkte të importuara privatisht, përfshirë karburantin dhe duhanin, dhe vendosin gjoba për tregtarët që praktikojnë çmime të larta, sipas dhjetë gazanëve, përfshirë tre tregtarë me njohuri të drejtpërdrejta mbi situatën. Kreu i Zyrës së Mediave të qeverisë së Hamasit, Ismaïl Al-Thawabta, thotë se informacionet sipas të cilave Hamasi vendoste taksa mbi duhanin dhe karburantin janë të pasakta, duke mohuar se qeveria po rriste taksat.

Një analist shikon forcimin e Hamasit

Autoritetet merren kryesisht me detyrat humanitare dhe administrative urgjente, ndërsa bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të kontrolluar çmimet, deklaroi Al-Thawabta, i cili përsëriti gatishmërinë e Hamasit për të dorëzuar pushtetin tek një administratë teknokratike të re, duke theksuar se synimi ishte shmangia e kaosit: “Qëllimi ynë është që tranzicioni të ndodhë pa probleme”.

Hatem Abou Dalal, pronar i një qendre tregtare, beson se çmimet ishin të larta për shkak të mungesës së importeve. Sipas tij, përfaqësuesit e qeverisë përpiqen të rikthejnë rendin ekonomik duke bërë inspektime, kontrolluar mallrat dhe vendosur çmimet.

Për një banor, Mohammed Khalifa, që bënte pazarin në lagjen Nouseirat, në qendër të Gazës, çmimet ndryshonin vazhdimisht pavarësisht përpjekjeve për rregullim.

“Është si në bursë”, tha ai. “Çmimet janë të larta. Nuk ka të ardhura, situata është e vështirë, jeta është e vështirë dhe dimri po afron”, shtoi ai.

Plani për Gazën i presidentit amerikan Donald Trump arriti të sigurojë një armëpushim më 10 tetor dhe lirimin e të fundit të pengjeve të gjalla të kapura gjatë sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Plani parashikon krijimin e një autoriteti tranzitor, vendosjen e një force sigurie ndërkombëtare, dorëzimin e armëve nga Hamasi dhe fillimin e rindërtimit.

Por agjencia Reuters, duke cituar burime të shumta, raportoi këtë javë se ndarja de facto e enklavës po duket gjithnjë e më e mundshme, pasi forcat izraelite janë ende të vendosura mbi më shumë se gjysmën e territorit dhe përpjekjet për të çuar përpara planin amerikan janë në vendnumëro.

Afro të gjithë 2 milionë banorët e Gazës jetojnë në zonat e kontrolluara nga Hamasi, i cili mori kontrollin e territorit nga Autoriteti Palestinez i presidentit Mahmoud Abbas dhe lëvizja Fatah në vitin 2007.

Sipas Ghaith al-Omari, studiues kryesor në Washington Institute, veprimet e Hamasit synojnë të tregojnë gazalezëve dhe fuqive të huaja se është e pamundur ta anashkalosh atë.

“Sa më shumë të presë komuniteti ndërkombëtar, aq më shumë Hamasi forcohet”, thotë ai.

Hamas nuk “do të qeverisë”, insistojnë amerikanët

I pyetur mbi dëshmitë e gazanëve që flasin për taksa të vendosura nga Hamasi mbi disa produkte dhe aktivitetet e tjera të raportuara, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha: “Kjo është arsyeja pse Hamasi nuk mund dhe nuk do të qeverisë në Gaza”.

Një qeveri e re në Gaza mund të formohet sapo Kombet e Bashkuara të aprovojnë planin e Trump, tha zëdhënësi, duke shtuar se janë arritur disa përparime për formimin e një force ndërkombëtare.

Autoriteti Palestinez bën presion për të pasur zërin e tij në formimin e një qeverie të re, megjithëse Izraeli refuzon idenë që ajo të administrojë përsëri Rripin e Gazës.

Fatah dhe Hamas nuk bien dakord mbi mënyrën se si duhet të përbëhet kjo qeveri e re.

Zëdhënësi i Fatah-ut në Gaza deklaroi se veprimet e Hamas-it tregojnë qartë se “ata duan të vazhdojnë të qeverisin”.

Në zonat e kontrolluara nga Izraeli, grupe të vogla palestineze kundërshtuese të lëvizjes islamiste kanë ruajtur një prani, dhe banorët përballen me kushte të rënda, edhe pse ka ardhur ndihmë shtesë pas armëpushimit.

“Ata regjistrojnë gjithçka”

Sipas një importuesi të madh ushqimesh në Gaza, Hamas nuk ka rikthyer një politikë të plotë fiskale, por “shikon dhe regjistron gjithçka”.

“Ata mbikëqyrin gjithçka që hyn, me pika kontrolli përgjatë rrugëve, ndalojnë kamionët dhe marrin në pyetje shoferët”, tha ai në anonimat.

Manipulatorët e çmimeve ndëshkohen financiarisht, gjë që ndihmon në uljen e disa çmimeve, të cilat megjithatë mbeten shumë më të larta se para fillimit të luftës, dhe njerëzit ankohen për mungesë parash.

Para luftës, qeveria e Hamas në Gaza punësonte deri në 50 mijë vetë, përfshirë policë. Al-Thawabta tha se mijëra prej tyre ishin vrarë dhe se të mbijetuarit ishin gati të vazhdonin punën nën një administratë të re.

Autoritetet e Hamas-it vazhduan të paguanin rrogat e milicëve të tyre gjatë luftës, duke ulur rrogat më të larta dhe duke i unifikuar në 1 mijë e 500 shekelë (470 dollarë) në muaj, sipas burimeve të Hamas-it dhe ekonomistëve të informuar. Një diplomat tha se Hamasi kishte përdorur rezervat e tij të parave për të paguar këto rroga.

Qeveria lokale ka zëvendësuar katër guvernatorë rajonalë të vrarë, sipas burimeve pranë grupit.

Një zyrtar i Hamas-it gjithashtu tha se grupi kishte zëvendësuar njëmbëdhjetë anëtarë të zyrës politike në Gaza, të cilët gjithashtu ishin ndarë nga jeta.

Advertisement