Kronike
Kundërshton vendosjen e shtyllës së tensionit, qytetari: Do qëndroj i ngujuar…
Një qytetar në Fier ka kundërshtuar vendosjen e shtyllës së tensionit të lartë brenda tokës së tij, ndërsa është ngujuar brenda makinës së tij. Ervin Memo thotë se posedon dokumentacion të rregullt për tokën e tij, ndërsa pretendon se është në shkelje të ligjit ngritja e një shtylle tensioni. Memo shprehet se shtylla e tensionit të lartë për linjën që shtrihet nga Karavastaja deri në ish Azotikun në Fier që do të përdoret për panelet diellore, cënon një sipërfaqe të tokës së tij, ndërkohë që në projekt rezulton të jetë projektuar në mes të një rruge.
“Në fillim pashë këta të firmës që bënin përgatitje për punë dhe menjëherë jam ngujuar brenda makinës. Kanë ardhur forcat e policisë dhe kanë tentuar të më nxirrnin. Kërkonin të më arrestonin me dhunë. Do qëndroj i ngujuar, sepse jam në territorin e pronës time. Po përjetoj një traumë të padrejtë, se po të jetë diçka tjetër, unë jam i pari që zbatoj ligjin. Nuk dua as lekë, vetëm dua drejtësi. Rruga ku duan të bëjnë shtyllën, është këtu. Është zaptuar nga një zotëri tjetër aty. Rruga nuk vjen në tokën time. Unë ankohem sepse nuk do e bëjnë shtyllën aty në rrugë siç kanë letrat, por duan të bëjnë tani në mes të parcelës”, shprehet qytetari për “Report TV”.
Linja e tensionit të lartë shtrihet nga Karavastaja deri në ish Azotikun Fier, dhe po ndërtohet nga kompania italiane ‘Votalja’ për t’u përdorur për panelet diellore.