Connect with us

Aktualitet

Kur kthen kokën pas, çfarë të kujtosh më parë, në raport me sa shumë na është dashur të bëjmë.

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Asamblenë Kombëtare:

Të dashur anëtarë dhe anëtare të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, më vjen mirë që sot na jepet mundësia të mblidhemi edhe duke respektuar kushtet e imponuara nga kjo situatë jo e zakonshme. Falënderoj Sekretarin e Përgjithshëm që organizoi këtë mbledhje në qiell të hapur, edhe që bëri të mundur të mos mungojë as dielli sot, këtu. Duke na krijuar mundësinë të nisim fazën e fundit të këtij mandati dhe njëkohësisht, edhe fazën finale të përpjekjes për të marrë mandatin tjetër.

Besoj se është e rëndësishme gjithmonë të kemi parasysh nga vijmë, për të mundur të dimë se ku mund të shkojmë. Tanimë, kur bëhen 7 vjet nga dita kur ne morëm detyrën, mund të thuhet me plot gojën se jemi në kushtet kur e keqja më e madhe është harruar, ose duhet kujtuar dhe rikujtuar sepse dita kur ne e nisëm këtë rrugëtim, nuk ka asgjë të ngjashme në raport me punët e vendit, me ditën ku jemi sot, por në të njëjtën kohë, siç e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund.

Ne, në radhë të parë, duhet të mbajmë parasysh teksa numërojmë me të drejtën tonë legjitime ato që kemi bërë, në asnjë moment të mos ia themi vetes dhe të mos lëmë për më tepër përshtypjen tek të tjerët se jemi të kënaqur me sa kemi bërë.

Kur kthen kokën pas, realisht është e vështirë të zgjedhësh çfarë të kujtosh më parë, në raport me sa shumë na është dashur të bëjmë.

Mandati i parë ishte faktikisht, përpjekja për të ndaluar një inerci rrënimi dhe një hemoragji të rrezikshme, në raport me vetë financat e vendit. Kur ne jemi ulur në detyrë dhe kemi parë mbi tryezë të dhënat reale të vendit, kemi qenë përballë sfidës së madhe të financimit të rrogave dhe pensioneve, pa pasur nevojë që t’i ulnim ato. E kujtoj si sot, bisedën shumë të vështirë që kemi pasur me FMN-në, e cila insistonte që duhet ta fillonim nga ulja e rrogave dhe pensioneve dhe refuzonte idenë tonë që ne do të kompensonim boshllëkun e atëhershëm me një reformë shumë agresive në fushën e energjisë, ku ishte dhe burimi kryesor i hemoragjisë së vendit në aspektin financiar. Nuk e harroj kur përfaqësuesit e FMN-së më janë drejtuar dhe më kanë thënë, këtë e kemi dëgjuar nga të gjithë kryeministrat e mëparshëm, por e kemi mësuar nga çdo qeveri që kjo reformë në Shqipëri nuk bëhet.

Sot besoj që të gjithë atyre që me të drejtë, jo pa të drejtë, ankohen për shumë çka ende ju mungon, ju duhet kujtuar që 7 vite më parë mbanin rradhën në shi, për të paguar fatura afrofe të energjisë elektrike. Fatura arbitrare të energjisë elektrike, të cilat i paguanin për vete dhe për gjysmën e dynjasë që nuk dënjonte të paguante. Ndërsa jo sot, por prej disa vitesh tanimë nuk ka fatura afrofe dhe s’ka më rradha në shi, ashtu sikurndër nuk ka më arbitraritet apo gabim në faturë që nuk korrigjohet. Pa llogaritur transformimin e vazhdueshëm të sektorit me investimet e munguara qysh nga koha e elektrifikimit të vendit.

A kanë mjaftuar për ta quajtur të mbyllur këtë process? Jo, aspak, nuk kanë mjaftuar as në këtë sector, as në asnjë sektor tjetër dhe kjo është arsyeja, pse ne duhet ta marrim mandatin e tretë.

Mandati i dytë, pasi ndaluam me sukses hemoragjinë, pasi rivumë rregull në financat e vendit, pasi ju dhamë njerëzve të zakonshëm të këtij vendi disa instrumente më shumë për jetën e tyre të përditshme, ishte mandati ku kemi forcuar organizmin e një trupi që lëngonte 7 vite më pare, edhe pse na është dashur të përballemi përveçse me problemet e përditshme, të trashëguara dhe reale, edhe me probleme të krijuara për të na rënë ndesh, edhe me probleme që i ranë në kokë Shqipërisë dhe popullit shqiptarë jashtë vullnetit të njerëzve, qoftë tërmeti dhe qoftë virusi që e futi të gjithë botën në ciklin e një pandemie sa të frikshme, aq e të rrezikshme.

Sot, kur jemi në përfundim të këtij mandati të dytë që, siç thashë, është një mandat i forcimit të trupit dhe i ecjes pas një paralize nga ku ne e nisëm këtë përpjekje, arrijmë që të rrisim pagat, në ndërkohë që nuk më rezulton që ndokush rretherrotull nesh e ka bërë ketë. Të rrisin pagat si asnjë herë më parë për mjekët dhe gjithë bluzat e bardha në Republikën e Shqipërisë, sepse e meritojnë patjetër, por edhe sepse e konsiderojmë të domosdoshme që këtë mundësi, që e kemi krijuar me punën e të gjithë këtyre viteve, ta vëmë në dispozicion të tyre dhe të arsimtarëve po ashtu, dy kategori të gjëra në shoqërinë tonë që janë në dy fronte posaçërisht të vështira sot, për shkak të përballjes me këtë situate të jashtëzakonshme ku ndodhet vendi dhe ndodhet gjithë bota.

As i prekëm rrogat dhe pensionet kur morëm detyrën, as i bëmë bisht zotimit tone, për të kaluar nga një sistem i padrejtë taksimi në një sistem taksimi ku i ulëm taksat për 97% të shqiptarëve dhe as mendojmë që këto mjaftojnë për ta quajtur të mbyllur punën tone. Përkundrazi, këto të gjitha janë arsye dhe bashkë me plot të tjera që mund t’i numërojmë deri nesër në mëngjes, pse ne na duhet një mandat i tretë, jo për vete, por për Shqipërinë, në mënyrë që mandatin e tretë Shqipëria të kalojë nga ecja në vrapim dhe janë sot kushtet për të shpjeguar si dhe pse, Shqipëria mund të kalojë në një nivel të ri shpejtësie.

E kush mund ta kalojë Shqipërinë në një nivel të ri shpejtësie, përveç Partisë Socialistë të Shqipërisë!

Ne nuk jemi e keqja më e vogël. Ne jemi e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *