Connect with us

Shkrime

Kur të hiqni brisk në faqe pyesni pse quhet Zogu i Zi

Nga Mitro Çela

Në vitin 1963 isha nxënës në gjimnazin “Çajupi”.

Letërsinë na e jepte shkrimtari Filip Ndocaj.

Burrë i madh. Në dimër vishte një paldesy gjyrë kremi. Në dorë një çadër kur binte shi. Nëpër kotdore çadrën e “varte” në paldesy, pas qafës.

Dashuronte Migjenin, për të cilin tregonte se e kishte pasur shok shkolle në Itali dhe koleg, dmth mësues në Pukë.

-Esse-në pesë lek për të parë Amerikën,- e kam lexuar në origjinal,- na tregonte profesori.

-Po ku dini ju se çfrë janë prostitutat?!…

Kur të hiqni brisk në faqe, pyesni pse fundi i rrugës së Durrësit quhet “Zogu i Zi?!” …

Shumë vonë mësova se aty ishte hapur bordelloja më e madhe e Tiranës…

Aty burrat tradhtonin gratë duke paguar.

Seks dhe tradhti?!

Pas Migjenit, komentonte me shumë fantazi Gëten dhe Danten.

Në atë mot të dy poetët e mëdhej, ishin në programin e letërsisë.

Jashtë programtit na fliste për Lasgush Poradecin:

-Nguliteni në mendje. Mos mbani shënime. Është liriku më i madh i Ballkanit…

-Dashuronte… dashuria… shkruan poeti.

Liberal nga natyra, lejonte pak zhurmë në klasë.

Bile këndonim edhe ndonjë këngë të Çelentanos.

Në vitet ’60, gjymnazet e Tiranës ndaheshin në dy grupe.

“Petro Nini” ishte elitë.

Atje studjonin fëmijët e Enverit, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Beqir Ballukut etj.

Ne të “Çajupit” ishin të klasës puntore.

Ndyshonin edhe shijet muzikore.

Ne pëlqenim muzikën italiane duke e quajtur mbret Adriano Çelentanon.

Me radhë Pepino Di Kaprin, Domeniko Modunjon, Rita Pavonen.

Nxënësit e “Petro Ninit” këndonin më shumë muzikën e “Bitlsave”, Rolling Stones, Frank Sinatra etj.

Kishte arsye.

Ne dëgjonin vetëm radjon.

Ata kishin manjetofonë, gramafonë, televizorë.

Herë pas here, fëmijët e elitës, mblidheshin në bodrumet e pallateve. Këndonin me kitara.

Ne, e shumta, këndonim duke përdorur si xhes, bankat, në pushimet mes orëve të mësimit.

NE dha ATA ndryshonim edhe në veshje. Ne pantallona dok me xhakavendo të qepura, në rrobaqpsi anonime në lagja.

Ata rroba të blera në Romë, Paris, Athinë…

Një ditë na thotë profesor Filipi:

– Nuk është keq të dëgjoni edhe muzikë angleze dhe amerikane.

Është muzika e së ardhmes.

Na tregojë edhe për një stacion në radjo që jepte muzikë të tillë gjithë ditën.

Këtu lindi edhe dashuria ime për Xhon Lenon, Pol Makartin, Xhorxh Harison dhe Ringostar.

Por profesori ishte i dyzuar.

Liberal dhe i mjegulluar kur fliste për Gorkin, Shollohovin.

Kur komentonte romanin sovjetik “Si u kalit celiku” e Nikolla Ostrofskit, sikur përtypte arrë.

Ndryshonte.

Tjetërsohej.

I dilte damari mes ballit. Humbiste. Dridhej.

Ulërinte.

I nxirnin sytë xixa.

Hapte krahët kur komentonte I “Faustin” e Gëtes.

Disa ditë pasi kisha dëgjuar rrëfimin për Margaritën e Gëtes, mastrubohesha me imazhin e saj, sipas përshkrimit të profesorit.

Një ditë na recitoi “Shagane shpirti im Shagane” të Eseninit.

-E rrallë,- komentoi profesori.- Si poet, Esenini, shkoi në Amerikë.

Bëri një prockë:

Ra në dashuri me një balerinë amerikane…

Me të drejtë, e kritikun për gjestin borgjez të gjithë shkrimtarët sovjetikë…

Një natë u mbyll në dhomë.

Preu damarët. Ngjeu penën dhe me gjak bëri një poezi?

Për shumë kohë më dilte në ëndërr imazhi i poetit duke kërcyer me balerinën amerikane, ndërsa nga damarët i kullonte gjak?!

Një ditë më thirri në shtëpi…

-Lexova hartimin tënd.

Nuk kam parë shkrim më të shëmtuar.

Kë marrë borxh këmbët e pulës për të shkruar?

Duke të parë surratin, më kujton Migjenin.

Verdhacuk të dy.

Ai të verdhët e kishte nga turbekulozi.

Po ti?…

Anemik…

-Ha hekur dhe qeshi…

-Ke bërë ndonjë poezi,- më pyeti. Dua ta shoh, sepse dy tre fraza në hartim diçka më thonë…

Thashë jo,- edhe pse kisha shkruar një poezi për një vajzë biondinë, që e dashuroja, por nuk ma mbajti kurrë ti propozoja…

Në rininë time, ishte turp të kishe një të dashur…

Sot është turp të mos kesh të dashur…

-Për një gjë jam i sigurtë:

Shkrimtar vetëm se je verdhacuk nuk mund të bëhesh…

Dhe i doli fjala…

Profesori herë pas here na thoshte në klasë:

-Kam ndërmend të botoj një roman.

Kaluan dy vite. Profesori vazhdonte me avazin e vjetë:

“Do të botoj një roman?”

Një ditë i kërkuam llogari:

-Pse nuk e boton romanin?…

Ai u përgjegj me humor:

-Sepse nuk dua të përfundojë si letër higjenike në nevojtoren e Lad hundëderrit.

Fjalën e kishte për një shokun tonë të klasës, që dallohej për hundën e madhe me kurriz…

Një ditë më ftoi në dhomën e mësuesve.

Ishte vetëm.

-Verdhacuk! Nuk është hunda e Ladit që më pengon të botoj romanin.

Por është një redaktor në shtëpinë botuese.

Ma ka sjellë në majë të hundës…

Bëj e prish më thotë…

Nuk di pse kam dëshirë të më lexosh një kapitull.

Nuk e pëlqen redaktori.

Më thotë hiqe.

Por unë nuk dorëzohem.

Në vitin 1971, kur unë isha student, Filip Ndocaj botoi romanin “Diell nën kreshpa”

E bleva.

Mungonte kapitulli “rrebel”.

Profesori ishte thyer…Normale.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *