Connect with us

Shkrime

Kur voton Shqipëria, shpreson Shkupi, Prishtina, Presheva.. E ardhmja e Shqipërisë-jo thjesht zgjedhje

Nga Liridona Beqiri

Shqiptarët janë mirë kur është Shqipëria mirë. Në një tjeter rrafsh rrëfimi mbi Shqipërinë, mbaj mend që prindërit tanë gjithmonë kur na flisnin për Shqipërinë e asokohe, ndonëse shumë prapa internacionalizimit dhe plot rrëmujë, ato ishin rrëfime të mbushura me një dashuri të pashtershme për tokën e shenjtë e për njerëzit. E shihnim si nënë, si strehë, si një tokë që, edhe pse ishte jashtë pasaportës sonë, kishte gjithmonë vend për ne në zemrën e saj. Shqipëria, atdheu i shpirtit, e pakta që kemi pasur kur na kanë dashur të na ndajnë, të na harrojnë, të na heshtin, aq më shumë që në një realitet të përzier, ku për të mbetur shqiptar duhej të ishe i duruar, i zgjuar dhe shpesh i heshtur.

Po shkruaj sot jo nga Tirana, as nga Durrësi, as nga ndonjë studio televizive politike, por nga zemra shqiptare e Maqedonisë së Veriut, aty ku fjala “Shqipëri” ka qenë gjithmonë më shumë se një vend, ka qenë një ëndërr kolektive, një dritë shprese, një simbol krenarie

Le të shohim Shqipërinë e sotme, atë që po ndërtohet me shumë mund dhe përpjekje. Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe shumë vende janë të ngërthyer në mes të krizave, Shqipëria ka bërë e madh drejt modernizimit, integrimit në Bashkimin Evropian dhe forcimit të institucioneve që janë në shërbim të qytetarëve. Shqipëria nuk është më ajo e rrëmujës së pafund, e ndalesave në çdo cep, e dritave që iknin, e rrugëve të prishura dhe premtimeve boshe.

Nuk ka dyshim se rruga drejt një Shqipërie më të mirë ka qenë e vështirë. Dhe ndoshta, ndonjëherë, jo gjithmonë kemi qenë dakord me mënyrën. Por nuk mund të mohojmë se ka pasur qëndrueshmëri, vizion afatgjatë dhe një përpjekje të vazhdueshme për ta afruar vendin me Europën jo vetëm në letra, por edhe në mendësi dhe infrastrukturë.

Shqipëria sot nuk është vetëm një vend që kërkon të hyjë në BE ajo është një shembull i përpjekjes së madhe për të ndrequr plagët e vetes, për të ecur përpara pa u kthyer prapa, për të mos u ndalur nga e kaluara, por për ta kthyer atë në mësim.

Këtë zëshëm e thuan jo vetëm shqiptarët por edhe qytetarët maqedonas që cdo vit e më shumë shprehin dëshirë për t’a vizituar Tiranën dhe bregdetin shqiptar, e nga atje kthehen me impresione të një vendi të përparuar, një realitet i pranuar edhe nga ata që kanë botëkuptime të ndotura ideologjike. Kjo nuk ndodh rastësisht. Ndodh sepse shohin një Shqipëri të qartë, kur vizioni i zhvillimit nuk është thjesht një slogan, por një plan që zbatohet hap pas hapi.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë më 11 maj 2025, skena politike është shënuar nga shkëmbime të ashpra dhe sarkazmike midis udhëheqësve të partive kryesore, duke rritur më tej tensionin. Një fushatë elektorale mes batutash, nofkash, diss-esh dhe metafora zoologjike, një mekanizëm që shfrytëzon emocionet dhe intuitën e njerëzve për të formuar mendime dhe qëndrime pa pasur nevojë për argumente logjike dhe të thella. Politika shqiptare gjithmonë ka qenë arenë spektaklesh, me shfaqje e ulërima, një adrenalinë e kaosit politik me përplasje “heronjësh”. E vërteta është kjo: për disa shqiptarë, Shqipëria është e bukur vetëm kur është në zjarr, ngaqë nga hiri i saj i japin flakë dëlirësisë së tyre politike. Dhe ajo që më ngjason me politikën e vendit tim, sa herë dëgjoj debatet e fushatës, janë po të njejtit profile politikanësh që flasin me tone ultimatumi, që kërcënojnë shtetin me popull, ligjin me “moral”, dhe të ardhmen me “garanci” të lëmoshës së fuqive të mdhaja. Janë po ata profile që për të mishëruar disa vlera perëndimore harrojnë që duhet kaluar neper filtrin e vlerave tona autentike.

Zgjedhjet e 2025-ës nuk janë thjesht përballje mes partish, por një test për demokracinë shqiptare, për të parë nëse qytetarët do të votojnë mbi bazën e emocioneve, sarkazmës, apo programit dhe besimit në të ardhmen. Gjithashtu, ato do të jenë tregues i pjekurisë politike të diasporës dhe një reflektim për drejtimin që Shqipëria dëshiron të ndjekë në dekadën e ardhshme.

Po, mund të ketë sfida, mund të ketë njerëz që kërkojnë të shohin një tjetër rrugë, por mendoj se është e rëndësishme të shohim gjithçka që është bërë përpara nesh. Nuk është thjesht një zgjedhje mes partive, është zgjedhja mes një të ardhmeje të paqartë dhe një të ardhmeje të mundshme, që e shohim përpara nesh.

Shqiptarëve ju duhet një Shqipëri që ka dalë nga adoleshenca politike. Sepse kujt i është rrënuar gjithmonë tavani, nuk mund t’i japim në dorë çelësat e shtëpisë.

Përtej politikës dhe parimeve, ajo që ka rëndësi është e ardhmja e shqiptarëve. Për ne shqiptarët e Maqedonisë, çdo zgjedhje në Shqipëri nuk është vetëm shqiptare, por është kombëtare. Shqipëria që po ndërtohet është një Shqipëri që ndihmon çdo shqiptar, pavarësisht nga ku vjen, pavarësisht se ku jeton, dhe më e rëndësishmja, një Shqipëri që ridefinon figurën e gruas dhe vendos atë në podium të rëndësishme integruese.

Unë vij nga një realitet ku shpesh gratë shqiptare janë shtylla e shtëpisë, motori i jetës, por të nënvlerësuara në publik dhe shume inekzistente në politikë. Ndërsa të shohësh gra që marrin përgjegjësi, që udhëheqin, që ndryshojnë, është shenjë e një Shqipërie që po matet me standarde të reja. Tani, po bëhen zëra që formësojnë shtetin shqiptar. Gra që nuk përfaqësojnë vetëm një mandat politik por një mandat frymëzimi, gra që nuk tundin vetëm Kuvendin, por edhe paragjykimet e rajonit, gra që personifikojnë Shqipërinë e re, Shqipërinë që nuk i druhet më gruas së fortë, por e respekton atë, Shqipërinë që kupton se politika nuk është më vetëm për burrat e lodhur të tranzicionit, por që përfshirjen e gruas nuk e shef si lavd por si identifikim.

Shqipëria që unë mbështes sot është ajo që është kthyer me fytyrë nga Evropa, por me zemër nga populli i vet. Një Shqipëri që nuk turpërohet nga e kaluara, por që nuk mbetet peng i saj. Një Shqipëri që e kupton se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht çështje diplomatike, por një përgjegjësi kombëtare. Unë e mbështes Shqipërinë evropiane sepse nuk dua më një Shqipëri që ne e admirojmë nga larg me mall, por një Shqipëri që mund të jetë shembull për gjithë shqiptarët në rajon. Një Shqipëri që është jo vetëm shtëpi e vetes, por edhe busull për ne që jetojmë përtej kufirit. Një Shqipëri që nuk përkulet, por që dialogon,që nuk ankohet, por reformon, një Shqipëri që flet me autoritet në Europë, që ka fituar besimin e aleatëve më të mëdhenj në botë. E mbështes këtë rrugëtim jo se është i përsosur por sepse është i domosdoshëm.

Dhe për këtë, duhet një forcë politike që nuk udhëhiqet nga mllefi, as nga hakmarrja, por nga qetësia dhe përvoja. Një Shqipëri e drejtë është shpresë për të gjithë ne, në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Ulqin, në Preshevë dhe në diasporë, një Shqipëri evropiane që na afron më shumë me njëri-tjetrin se çdo flamur, çdo kufi, çdo politikë e vjetër.

Si shqiptarë të Maqedonisë, ne e dimë që të ardhmen e kemi të lidhur ngushtësisht me atë të Shqipërisë. Sepse një Shqipëri më e drejtë për qytetarët e saj dhe më evropiane, është një Shqipëri më e afërt edhe për ne.

E ardhmja e Shqipërisë nuk është thjesht zgjedhje. Ajo është një pasqyrë e asaj që duam të shohim për të gjithë ne.. Kur voton Shqipëria, shpreson Shkupi, Prishtina, Presheva.. ndaj zgjedhjet në Shqipëri janë më shumë se një akt politik

Advertisement