Kronike
Kursi bie poshtë nivelit të 113 lekëve për herë të parë në histori

Euro ka pësuar një tjetër rënie shumë të fortë në kursin e këmbimit me lekun Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro ra në nivelin e 112.83 lekëve, duke humbur më shumë se një pikë krahasuar me ditën e martë. Që nga fillimi i muajit dhjetor, kursi i këmbimi Euro-Lek ka rënë me 3.45%, ndërsa që nga fillimi i vitit 2022 rënia ka arritur në 6.44%.
Sipas agjentëve të tregut, këtë javë vërehet një rritje e mëtejshme e ofertës valutore në treg, për shkak të sezonit te festive. Kjo është një tendencë pak a shumë e zakonshme sezonale, e lidhur me rritjen e turizmit hyrës dhe kthimin e emigrantëve për festat e fundvitit. Por, këtë vit efekti sezonal po pason një periudhë kur pozitat e Euros ishin qysh më parë mjaft të dobëta, për shkak të ofertës së lartë në vijimësi, por edhe për shkak të frenimit të fortë kërkesës nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, duke filluar nga pjesa e fundit e muajit nëntor.
Rënia e Euros është ndikuar edhe nga elementë të tjerë sporadikë, si vendimi i njërës prej bankave tregtare për të konvertuar një pjesë të kapitalit aksioner nga Euro në Lekë. Të gjithë këta faktorë po sjellin një zhvlerësim të paprecedent të Euros ndaj Lekut. Gjithashtu, familjet shqiptare që kanë një varësi të lartë nga remitancat gjithashtu po ndikohen negativisht nga rënia e kursit të Euros.
Duke qenë se Euroja është valuta dominuese në strukturën e depozitave bankare, në teori edhe indvidët që kanë depozita në Euro po preken nga rënia e monedhës europiane.

