Kosova
Kurthi i kryqit/ Drashkoviç: Serbia duhet ta njohë Kosovën, unë isha pro por na sabotoi Kisha Ortodokse Serbe

Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviç, ka deklaruar se Serbia duhet të pranojë realitetin e Kosovës dhe të pranoje anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin. Në një intervistë për gazetën malazeze Pobjeda, ai u shpreh se ka qenë zëri i vetëm në Serbi që ka mbrojtur publikisht këtë qëndrim, duke sfiduar narrativat zyrtare dhe retorikën nacionaliste.
“Kam kërkuar që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në Interpol, dhe që Serbia të anëtarësohet në NATO,” deklaroi Drashkovic, duke theksuar se pa përballje të ndershme me të kaluarën dhe pa njohjen e së vërtetës për Kosovën, Serbia nuk mund të ecë përpara drejt integrimeve perëndimore.
Drashkoviç tha se në fillim të viteve 2010 kishte besuar se presidenti aktual, Aleksandar Vuçic, do ta udhëhiqte Serbinë drejt evropianizimit dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën teksa kujtoi artikullin e Vuçiçit të botuar në Danas, ku ky i fundit kishte pranuar se “politika e viteve ’90 ishte e gabuar dhe e verbër.” Sipas tij, atëherë ai kishte besuar në një kthesë të sinqertë.
“Unë e kam mbështetur marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, për normalizimin e raporteve me Kosovën. Por përpjekjet u sabotuan nga opozita dhe Kisha Ortodokse Serbe,” tha Drashkoviç dhe përmendi se tre peshkopë të Kishës kishin organizuar një ceremoni përkujtimore për nënshkruesit e gjallë të marrëveshjes, ndërsa opozita e kishte sulmuar politikisht Vuçiçin në vend që ta mbështeste.
Drashkovic tha se ka paralajmëruar prej kohësh se rruga që ka zgjedhur Serbia është e rrezikshme dhe e bazuar në mashtrime dhe se përparimi i Serbisë kalon përmes njohjes së së vërtetës për Kosovën dhe pranimit të rrugës euroatlantike.

