Kosova
‘Kurti dëshiron të bëhet Zelensky, kam frikë se do të bëhet Aliyev’
Këshilltarja politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç-it në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviç, beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse po e projekton veten si një Volodymyr Zelensky i Ballkanit, dalëngadalë po futet në rrugën e Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kur në pikëpyetje është Veriu i Kosovës.
Një deklaratë e tillë nga ana e Trajkoviç ka ardhur pasi Prokuroria Speciale e Kosovës, të mërkurën, njoftoi se ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.
Arrestimet e serbëve, sipas Trajkoviç, përveç se janë të koordinuara “i shërbejnë një përshkallëzimi dhe destabilizimi të vetëdijshëm të komunitetit serb në Kosovë”.
“Kurti donte të ishte Zelensky dhe kam frikë se po shkon në rrugën e Aliyevit. Fatkeqësi totale në Nagorno-Karabakh. Një komb që ka përjetuar tashmë një herë gjenocidin, i lënë në mëshirën e një force mizore. Jemi dëshmitarë të spastrimit etnik të drejtpërdrejtë. Kështu ndodh kur institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe negociatorët harrojnë se prioriteti i tyre i parë është jeta e njeriut të thjeshtë”, ka shkruar Traikovic në rrjetin e saj social i emëruar rishtazi si X.