Kosova
Kurti dhe Vuçiç, PARTNERET E KRIZES/ Konspiracion apo lojë e rrezikshme politike
Analisti Baton Haxhiu duke komentuar reagimin e kryeministrit te Kosoves Albin Kurti ne lidhje me sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe deklarates se qytetaret e Kosoves duhet të refuzojnë të informohen nga disa portale që fatkeqësisht janë bërë pjesë e një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës, ka shkruar se “Kjo deklaratë e Albin Kurtit nuk është vetëm një paralajmërim për qytetarët, por gjithashtu është një taktikë politike për të përçuar mesazhin se ai është viktimë e një konspiracioni të organizuar, ndërsa të gjithë ata që e kritikojnë janë armiq të Republikës”.
“Në një kohë kur Kosova përballet me tensione të rënda në veri dhe me shpërthime që kërkojnë ekspertizë, kryeministri i vendit zgjedh të akuzojë mediat, duke shmangur një reflektim të vërtetë mbi përgjegjësinë institucionale dhe mbi gjendjen faktike” – ka shkruar Haxhiu ne nje editorial.
Sipas tij, “Kjo nuk është hera e parë që liderët pa rezultate në qeverisje përdorin krizën për të mobilizuar mbështetjen popullore, duke e shndërruar sulmin ndaj lirisë së shtypit në një strategji për të mbyllur gojën e kritikëve”.
“Në këtë lojë, presidenti serb dhe kryeministri I Kosoves janë partnerë të heshtur. Çdo krizë në veri, për ironi, duket sikur i shërben të dyve. Vuçiç përdor tensionet për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme dhe për të portretizuar serbët e Kosovës si viktima. Kurti, nga ana tjetër, përfiton nga situata për të thirrur per unitet kombëtar, duke relativizuar çdo kritikë të brendshme dhe duke përforcuar rolin e tij si “mbrojtës i sovranitetit”. Kjo marrëdhënie toksike e nxitjes dhe përfitimit nga kriza ngjan me raste të njohura në histori, ku armiqësia e simuluar shërben për të mbajtur pushtetin e brendshëm” – ka deklaruar analisti Baton Haxhiu, duke theksuar se “tani që Kurti po përballet me kritika në rritje për ekonominë, lirinë e mediave dhe dështimet politike, veriu është bërë platforma e tij për të kërkuar mbështetje”.
“Deklaratat për “luftë hibride” janë të dizajnuara për të delegjitimuar çdo zë të pavarur që kritikon pushtetin. Sulmet ndaj mediave janë një taktikë klasike në regjimet që duan të kontrollojnë narrativën” – ka shkruar Haxhiu duke theksuar se “Në një Ballkan të lodhur nga konfliktet, politikanët përdorin krizën si armë për të fituar vota”.