Kosova
Kurti: Duhet t’i përmbahemi propozimit evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga takimi i 27 shkurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pret që të ketë diskutime mbi bazën e propozimit evropian, por tha se për gjërat e tjera nuk mund të flas tani “edhe për shkak se jo pak varet nga ndërmjetësuesit e dialogut”.
I pyetur nëse në takimin e së hënës do të ketë diskutime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti tha se beson se duhet “t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë, e jo interesit të njërës palë”.
Bashkimi Evropian ka thënë se temë e diskutimit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në pikën 10 të karakteristikave të propozimit evropian, të cilat Kurti i lexoi në Kuvendin e Kosovës më 13 shkurt, thuhet se “të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët”.
Kosova dhe Serbia më 2013 dhe 2015 kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se marrëveshja e vitit 2015, nuk është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, duke shtuar se të 23 pikat – që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës – mund të harmonizohen.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin.
Kurti kundërshton themelimin e asociacionit njëetnik, me kompetenca ekzekutive. Ndërsa Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive. Por, SHBA-ja ka thënë se kundërshton “krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë”.
Karakteristikat e propozimit evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto karakteristika, sipas Kurtit, janë:
- 1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.
- 2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.
- 3. Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
- 4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.
- 5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
- 6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.
- 7. Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.
- 8. Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.
- Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.
- 9. Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.
Propozimi evropian u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit të kaluar. Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.
Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Çfarë parasheh propozimi evropian?
Optimizëm i matur për takimin Kurti-Vuçiq
Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kër