Kosova
‘Kurti e ka nënvlerësuar, hapësira e manovrave strategjike të Vuçiç është rritur’

Udhëheqësit e NATO-s pritet të konfirmojnë në samitin në Vilnius se situata në Kosovë është serioze dhe se misioni i NATO-s, KFOR, është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të pakicës serbe në very – thotë Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.
Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Niç tha se telashet do të ishin shumë më të mëdha nëse NATO-ja nuk do të ishte në Kosovë.
“Mendoj se Kosova është më afër një konflikti të hapur sesa Bosnja. Dhe është një nivel ndryshe i konfliktit, sepse keni sulme fizike ose konfrontime në veri, keni struktura paralele, keni shpërthime, ku një incident i vogël mund të çojë në diçka më të madhe” -theksoi eksperti për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e NATO-s.
Duke u ndalur te Serbia, Niç u shpreh se presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç, mund ta luajë edhe për kohë të gjatë lojën “edhe Perëndimi, edhe Rusia”.
“Serbia po luan me kartën e vendit neutral. Ajo e fsheh faktin se ka bashkëpunim mjaft intensivisht me NATO-n, në interes të përbashkët. Presidenti serb e ka zotëruar këtë lojë, duke u sjellë si neutral, por, në të njëjtën kohë, duke forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe duke qenë mjaft i cenueshëm ndaj ndikimit rus. Mendoj se Vucic mund ta luajë shumë gjatë këtë lojë, sepse nuk varet vetëm prej tij por prej situatës globale. Hapësira e manovrave strategjike të Vuçicit është rritur dhe kjo është ajo që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka nënvlerësuar” – deklaroi Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

