Kosova
Kurti e Vuçiç do izolohen/ Von Cramon flet për palën që refuzon marrëveshjen
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë të vetëdijshëm për masat ndëshkuese nëse nuk pajtohen plotësisht me ‘marrëveshjen bazë’ për normalizimin e raporteve mes tyre.
“Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç e dinë shumë mirë se pala që e refuzon marrëveshjen, ose pala qe tregohet jo konstruktive, do të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe do të fajësohet për dështimin. Kjo do çojë automatikisht në përkeqësim të relacioneve me BE-në dhe në ndalimin e disa proceseve të rëndësishme” – deklaroi Cramon
Eurodeputetja gjermane nga radhët e të Gjelbërve, tha gjithashtu se dy liderët ballkanikë duhet ta shfrytëzojnë mbështetjen e madhe politike dhe të arrijnë kompromisin sado i dhimbshëm që mund të jetë.
Përsa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe frikës jo për atë që sot paraqet legalisht ky mekanizëm, por për faktin se çfarë ai mund të paraqesë ai nesër, gjatë implementimit praktik, ajo u shpreh se në Kosovë nuk do të zbatohet modeli i Republikës Srpska si në Bosnje-Hercegovinë.