Kosova
Kurti flet për shkëmbimin e territoreve/ Ja çfarë paralajmëroi ai
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rikthyer sërish në temë debati, shkëmbimin e terroriteve mes Kosovës dhe Serbisë, teksa është pyetur edhe nga një gazetar austriak. Sipas Kryeministrit, kjo ide është në agoni por nuk ka vdekur.
Gjatë një intervistë për “ZIB 2”, Kurti ka deklaruar se në zgjidhjen e situatës në rajon do të ndihmonte një balancë në të drejtat e minoriteteve, dhe sipas tij, shkëmbimi i territoreve është “një recetë për luftë e gjakderdhje”:
“Çfarë do të mund të ndihmonte në rajon për të patur siguri dhe pajtim? Një balancë apo simetri në të drejtat e minoriteteve, ndërsa shkëmbimi i territoreve është një recetë për luftë dhe gjakderdhje” – theksoi kryeministri.
Ai u shpreh gjithashtu se gjatë administratës së kaluar amerikane, është përmendur ideja për shkëmbimin e territoreve, ide kjo që sipas tij, është ende e gjallë në Beograd.
“Është e vërtetë që në të kaluarën, sidomos gjatë administratës së kaluar amerikane, Beogradi dhe disa politikanë në Prishtinë dhe në Bashkimin Europian, kanë përmendur idenë për shkëmbimin e territoreve. Ky projekt ka dështuar, por e di që ideja është ende gjallë në Beograd dhe ka shkaktuar disa fantazi te disa struktura në veri të Kosovës, por ajo nuk do të bëhet kurrë realitet” – theksoi Kurti
Nuk ka intervistë tashmë, as në media të huaja, ku kryeministrit Kurti të mos përmend Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çështja, po konsiderohet urgjente edhe nga liderët kryesorë të Bashkimit Evropian, si dhe nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Shefi i Qeverisë edhe një herë theksoi që në Kosovë nuk mund të ketë Republikë Serbe, teksa Serbia dëshiron “shtet brenda shtetit”.
“Kam qenë unë që ofrova për të shkruar një draft statut për vetëmnaxhimin jo si marrëveshjet e kaluara, por që respekton Kushtetutën e Kosovës. Sipas vendimit të Kushtetuteses, ky asociacion nuk duhet të ketë fuqi ekzekutive, nuk duhet të ketë një shtresë të tretë të pushtetit” – tha Kurti, duke përmendur edhe një herë shembullin e tij të famshëm, atë me filxhan dhe me kafe, duke thënë se “nuk mund të ofrojë kafe, pa një filxhan”.
“Por presidenti i Serbisë tha që nuk ka interes për këtë. Ai nuk dëshiron ta njohë Kosovën, por do që të ketë një shtet brenda shtetit. Unë këtë nuk mund ta pranoj. Gjithçka që është brenda Kushtetutës tonë, jam gati që ta diskutoj. E kam thënë në të gjitha takimet, që nuk mund të shërbej kafe, pa filxhan. Nëse insistojnë në kafe pa filxhan, unë mund t’ju tregoj vetëm filxhanin të zbrazur” – u shpreh kryeministri i Kosovës.