Connect with us

Shkrime

Kurti i kompleksuar nga ideja se duhet të jetë viktimë…

Në një intervistë per Portalin e Kosovës “Periskopi”,  Baze kritikon ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti,  dhe numëron dështimet e tij . Baze thote se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë për detyrë të jenë “qenë roje” të Kosovës se përfaqësojnë shtetin e Kosovës. E ne në Shqipëri e kemi një fjalë të urtë që thotë se “qeni i keq ta sjell ujkun në stan”. Një nga arritjet e dyshes Kurti Osmani është  që Kosova “ka fituar” pavarësinë nga Shqipëria duke e trajtuar si shtet armik

Ndër të tjerash, njohësi i proceseve të Kosovës flet edhe për rolin e opozitës, pa harruar as presidenten Vjosa Osmani si ‘sulmuese’ të Shqipërisë, e as ngjarjen e fundit me analizën skandalozetë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

INTERVISTA E PLOTË:

Periskopi: Viti 2022 karakterizoi Kosovën me zhvillime të shumta, nuk munguan takimet me palën serbe, tensionet e protestat brenda vendit. Si një njohës i mirë i proceseve në Kosovë, si do ta vlerësonit vitin që po shkon nën qeverisjen e Kurtit?

Mero Baze: Viti që po shkon ishte një fotografi reale e asaj çfarë është në të vërtetë, fati i politikanëve populist kur ata qeverisin. Shikoj dy gjëra pozitive, që lidhen me qeverisjen. Arritja e parë është që qeverisja nuk i ka mbajtur premtimet e saj. Që të biem dakord unë nuk jam i shqetësuar që Albin Kurti nuk i ka mbajtur premtimet. Do të ishte më keq t’i mbante. Idetë e tij për zhvillimin e Kosovës janë kaotike, pa asnjë mbështetje reale tek realiteti ekonomik dhe financiar i Kosovës dhe tek modeli ekonomik i tregut. Në këtë aspekt e quaj pozitiv faktin që nuk ka këmbëngulur të vë në jetë idetë e tij si opozitar.

Nga ana tjetër, është e dëmshme që Albin Kurti po përpiqet të provokojë herë pa sherre me huqjet e tij opozitare, i kompleksuar nga ideja se duhet të jetë viktimë e një komploti ndërkombëtar kundër tij. Meqë u viktimizua njëherë duke u rrëzuar nga pushteti pas përplasjes me SHBA, tani sa herë dështon kërkon të ngrejë tensionet dhe ta shpëtojnë atë duke e rrëzuar. Në fakt ai nuk duhet rrëzuar, por duhet rrënuar si politikan i përciptë,  sipërfaqësor dhe pa një vizion të qëndrueshëm për të ardhmen e Kosovës. Dhe kjo është serioze.

Mes rrëzimit dhe rrënimit të një politikani destruktiv ka një diferencë të madhe në Ballkan. Politikanët që rrëzohen nga konflikti me politikën perëndimore në Ballkan bëhen popullorë. Fatkeqësisht dhe brenda shqiptarëve. Kemi Sali Berishën në Shqipëri të ngjashëm.

Rrënimi i tyre duhet të vij nga ballafaqimi i përditshëm dhe i pamëshirshëm me idetë e tyre para shoqërisë shqiptare për t’ua provuar të gjithëve se sa vlejnë. Dhe në këtë aspekt edhe ky vit ishte një vit i mirë kundër Albin Kurtit dhe pro krijimit të një perceptimi më real në Kosovë për të.

Periskopi: Cilat janë tri dështimet dhe tri arritjet e Qeverisë Kurti gjatë këtij viti?

Mero Baze: Dështimi në menaxhimin e situatës në veri të vendit, dështimi në raportet me diplomacinë perëndimore dhe dështimi në betejën kundër korrupsionit në vend janë tre dështime të dukshme.

Sa u përket tre arritjeve të qeverisë Kurti, nuk dua të bëhem shumë cinik, por arritja  e parë më e rëndësishme është që ka vendosur shtypin nën kontroll duke diktuar burimet ekonomike të tyre, arritja e dytë është që ka ndihmuar Gjykatën Speciale t’i jap arsye përse nuk duhen liruar udhëheqësit e UÇK-së dhe arritja e tretë është që ka fituar pavarësinë nga Shqipëria duke e trajtuar si shtet armik.

Këto janë arritje që i ka dëshiruar Albin Kurti. Meqë nuk jetoj në Kosovë nuk ndjej ndonjë arritje tjetër.

Periskopi:  Kryeministri Kurti refuzoi disa herë kërkesat e ShBA-ve e BE, si e shihni këtë qëndrim të Kurtit ndaj partnerëve ndërkombëtar, mendoni se u dëmtuan raportet e Kosovës me ta dhe pse Kurti ishte aq kokëfortë ndaj tyre, le të themi, fillimisht, sepse më pas e pamë që megjithatë po lëshonte pe?

Mero Baze: Refuzimi i rekomandimeve të SHBA dhe Perëndimit në tërësi, për të shtyrë konfliktin formal për targat, bëri që serbët të dalin nga institucionet e Kosovës duke krijuar një precedent të rrezikshëm i cili do t’i kushtojë gjatë Kosovës në çdo hap të mëtejshëm deri në korrigjimin e kësaj plage të hapur. Ky refuzim po ashtu solli konfliktin për zgjedhjet e imponuara në një territor që nuk e njohin autoritetin e qeverisë së Kosovës dhe barrikadat që praktikisht ndan Veriun e Kosovës nga Kosova. Nuk di se çfarë kosto më të rëndë duhet të paguante Kosova për egon e një kryeministri.

Periskopi:  Në muajt e fundit ka qarkulluar plani franko-gjerman ne disa versione, por që asnjëherë nuk u bë publik versioni zyrtar. Si i shihni versionet që kanë qarkulluar në media? A është në të mirë të Kosovës një plan i tillë siç po proklamohet?

Mero Baze: Nuk duhet të bëhemi të gjithëologë dhe të studiojmë germat dhe presjet e një plani. E rëndësishme është që plani krijon një kornizë sigurie për respektim reciprok të kufijve mes Serbisë e Kosovës dhe zhbllokon përpjekjet për izolim të Kosovës.  Kjo mjafton që  Kosova të merret me pyllin e jo me degët, siç po tenton të merret qeveria. Është një plan i mbështetur nga SHBA dhe kjo do të mjaftonte që të ishim më të sigurt me të se sa me idetë e Kurtit për konflikt permanent.

Periskopi: Si e shihni ju opozitën kosovare?

Mero Baze: Opozita në Kosovë ka kompleksin e partive shtetformuese dhe si të tilla ato sillen me shumë përgjegjshmëri ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit. Fjala vjen Krasniqi i jep mbështetje Kurtit për barrikadat, pa pyetur kush e krijoi problemin, Abdixhiku e qorton se si duhet të bëhet konstruktiv me SHBA dhe Perëndimin, Limaj apo Haradinaj i japin zemër si luftëtarë etj. Pra ka një qasje konstruktive e cila politikisht nuk është korrekte. Nuk po them të sillen si Albin Kurti dikur, që nuk njihte as shtetin e Kosovës, por nuk i duhet dhënë oksigjen një qeverie kur ajo është krijuesja e problemit. Është tjetër gjë nëse Kosova ndodhet nën një agresion jo për faj të qeverisë apo gabimeve të saj. Situatat e fundit kanë qenë situata të krijuara nga konfuzioni i politikës së qeverisë dhe ai konfuzion do përgjigje dhe politikisht.

Periskopi: Kosova gjatë këtyre dy viteve nuk ka fituar asnjë njohje, si e shihni politikën e jashtme të Kosovës? Shumë analistë kosovarë, kanë vlerësuar madje se është kryeministri shqiptar, z.Edi Rama ai që po kryen rolin e ministrit të jashtëm të Kosovës? Si i vlerësoni të dyja këto?

Mero Baze: Njohjet e Kosovës janë bllokuar nga fushata agresive e Serbisë. Për këtë arsye plani franko-gjerman ka një dimension shumë pozitiv. Nuk mendoj se Edi Rama duhet të marrë rolin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës edhe pse Shqipëria  e ka detyrim të jetë në një hap me Kosovën në çdo rrugëtim të saj.  Por qeveria e Kosovës dhe sidomos Ministria e jashtme dhe Presidentja ka qasje armiqësore ndaj Shqipërisë. E trishtueshme është se Ministria e jashtme e  Kosovës është rritur në Tiranë, duke ngrënë drekë çdo të diele me Nexhmije Hoxhën deri më 1990, ndërsa tani refuzon dhe të përshëndetet me diplomatët shqiptarë në Perëndim në aktivitete të përbashkëta në emër të një qasje helmatuese ndaj qeverisë së Shqipërisë.

Vjosa Osmani po ashtu e ka kthyer në sport popullor që në fillim të sulmojë Shqipërinë pastaj Serbinë. Kjo është e dëmshme për Kosovën, jo për Shqipërinë. Në Shqipëri as i marrin seriozisht madje, as i njohin kush janë. Por në Kosovë krijojnë një ndjenjë zymtie pasi krijojnë perceptimin se Shqipëria i ka braktisur. Në fakt është e kundërta. Diplomatët shqiptarë janë vullnetarisht dhe diplomat të Kosovës dhe nuk gjen dot askush një rast të vetëm që një diplomat shqiptar të ketë bërë dëm Kosovës  e jo më të përdor gjuhën e Presidentes apo Ministres së jashtme të Kosovës kundër Shqipërisë.

Periskopi: Në fjalimin e fundvitit, Presidentja Osmani ngjalli reagime, pasi në njërën prej fjalive deklaroi se ‘ka kaluar koha e ‘tregtimit të kufijve’ duke aluduar kështu në idenë e dikurshme të Presidentit Thaçi. Si e vlerësoni ju këtë diskurs të Presidentes Osmani?

Mero Baze: Kosova nuk ka pasur ndonjë kohë të saj kur ka nxjerr në treg kufijtë. I vetmi rast kur kufijtë janë rrezikuar janë barrikadat që u ngritën për shkak të politikës Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë për detyrë të jenë “qenë roje” të Kosovës se përfaqësojnë shtetin e Kosovës. E ne në Shqipëri e kemi një fjalë të urtë që thotë se “qeni i keq ta sjell ujkun në stan”. Ata për pak e sollën Serbinë në Kosovë.  Por për fat këtë kryengritje e shuajti perëndimi dhe kryesisht SHBA. Është po kjo SHBA që Osmani pretendon se ka dashur të ndajë kufijtë e Kosovës më 2018.

Periskopi: A janë forcuar marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri gjatë kohës nën qeverinë Kurti dhe nëse po, qysh? Nëse jo, pse?

Mero Baze: Raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës për fat nuk varen nga qeveritë, pasi nuk ka raporte tregtare apo ekonomike që mund të ndikonte qeveria e Kosovës apo Shqipërisë. Mjerisht raportet Shqipëri -Kosovë vazhdojnë të mbeten raporte njerëzore dhe jo raporte shtetërore. Shqipëria ka një bilanc ekonomik të papërfillshëm me Kosovën dhe një orientim të tregut të prodhimeve të saj që nuk ka lidhje me Kosovën. Kosova po ashtu. Ajo e ka 70 për qind të tregut me Serbinë.

Në aspektin politik raportet mes qeverisë Kurti dhe Rama janë të ngrira, dhe të helmatisura nga një prirje megalomane e Albin Kurtit për të ndërhyrë publikisht në jetën politike të Shqipërisë kundër qeverisë Rama. Ju kujtoj se në ndërrim të viteve 2018-2019, në kulmin e një proteste studentësh shumë simpatike kundër qeverisë, Albin Kurti erdhi mbajti tubim në Tiranë me studentët protestues duke bërë thirrje për dorëheqje të ministres kosovare, Besa Shahini dhe duke sulmuar Gent Cakajn, një tjetër ministër i Kosovës në qeverinë e Shqipërisë. Ithtari i bashkimit kombëtar u bë papritur zjarrvënësi i raporteve politike mes dy vendeve. Dhe e vazhdoi marrëzinë me pjesëmarrjen në zgjedhje bazuar në dëlirët e disa bashkëpunëtorëve mitomanë që ka nga Shqipëria. Prej atëherë  sulmet e helmatisura kundër politikes Shqipërisë kanë vazhduar.

E vërteta është se Edi Rama e ka marrë me sportivitet agresivitetin e tij, për të mos thënë që është tallur me të. Por nuk është tallur me Kosovën. Qeveria e Shqipërisë i ka qëndruar pranë Kosovës në krizën energjetike duke e furnizuar me energji dhe duke luftuar në frontin e diplomacisë ndërkombëtare për çdo problem të saj.

Periskopi:  Një nga ngjarjet që bëri bujë në këtë fundvit, është një analizë (nëse mund të vlerësohet si e tillë) e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.  Në disa pjesë të saj, por specifikisht edhe në një kapitull kushtuar politikës së Shqipërisë, goditet rëndë faktori i shtetit shqiptar përballë Kosovës.  Akuza më e rëndë, duket se qëndron në konstatimin se ‘Shqipëria e sheh si një lloj sakrifice Kosovën” që në një farë forme, sic nënkupton analiza e Akademisë, sherri i Kosovës ‘nuk ka mundur të ketë raporte të mira me Serbinë’. Aty goditet rëndë kryeministri aktual shqiptar, z.Edi Rama, presidenti Hashim Thaçi, madje edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, z.Ali Ahmeti. A e keni përcjell këtë debat? Cili është vlerësimi juaj për këtë analizë që doli nga institucioni i Akademisë kosovare?

Mero Baze: E kam parë. E vetmja gjë që dua të them, është se Akademia e Shkencave e Kosovës vuan nga sindromi i “lavdisë” së Akademisë së Shkencave të Serbisë, një institucion i cili konsiderohet si çerdhe e nacionalizmit serb dhe e ideve të Serbisë së Madhe.

E vërteta është se ata serb që kanë bërë Doktrinat antishqiptare,  por dhe kundër popujve të tjerë të Ballkanit, nuk i kanë dhënë as lavdi dhe as nder Serbisë. Është një keqkuptim i madh të thuash se qysh prej Garashaninit e më pas prej Çubrilloviqit e Andriqit, idetë e akademikëve serb kundër shqiptarëve e kanë bërë Serbinë më të madhe dhe më krenare. Jo. E kanë bërë më të vogël, e kanë zvogëluar dhe si territor dhe e kanë turpëruar në sytë e botës.

E kam vërejt tek shumë intelektualë në Kosovë një lloj fetishizimi për Akademinë e Serbisë si “nëna e gjithë të këqijave” kundër shqiptarëve. Është një mit fals. Serbët kanë pasur intelektualë të mëdhenj, por jo këta që kanë ndërtuar platformat fashiste në emër të Akademisë.  Intelektualë të mëdhenj janë ata që kanë mendim kritik me politikat e gabuara të shtetit dhe nuk e fusin vendin në qorrsokak.

E vetmja këshillë që kam për akademikët shqiptarë është që të mos përpiqen të imitojnë “lavdinë” që ata kanë në kokën e tyre për Akademinë e Serbisë dhe rolin e saj në çështjen kombëtare të Serbisë. E kanë shkatërruar Serbinë. Aq kanë bërë.

Për fat këta tanët nuk është kanë ndikim mbi politikën apo shoqërinë. Akademia e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë është një atavizëm sovjetik që nuk bazohet në konkurrencën e vlerave shkencore, por në raportet me politikën. Është më shumë një institucion social për rroga më të mira në moshë të thyer. Nuk bëjnë dot dëm dhe të duan.

Shkrime

Shqipëria dhe Greqia nuk flasin hapur për thelbin e krizës mes tyre

Nga Mero Baze

E vërteta është se raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në krizë, por të dy palët nuk i referohen thelbit të kësaj krize, por shkaqeve që gjejnë rrugës. Shqipëria bën rolin e viktimës duke u nisur nga retorika e Greqisë për rastin Beleri, por në fakt ajo që Shqipëria po kundërshton, është ndjenja e paternalizmit që Greqia ka ndaj Shqipërisë historikisht.

Nga ana tjetër Greqia që bën sikur ka në dorë integrimin evropian të Shqipërisë, po ashtu është realisht e shqetësuar nga indiferenca me të cilën Shqipëria po i merr kërcënimet e saj, se sa nga fati juridik apo politik i Belerit.

Fjalimi i Edi Ramës në Athinë ishte një gjarpërim mes fjalësh për të thënë se nuk jemi më ata që kemi qenë dikur në vitet 2000, kur pritja e ambasadës greke, kishte më shumë të ftuar se pritja e presidentit të Republikës dhe kur për një drejtor drejtorie vendosej në Athinë. Nuk ishte i sinqertë as kur i referohet krizës formale shkaktuar nga arrestimi i Belerit, kur bën sikur mbron pavarësinë e drejtësisë shqiptare, dhe bën si viktimë e mendësisë nacionaliste greke.

E vërteta është se thellë thellë, Edi Rama, mezi pret të dëgjojë çdo gjë kundër SPAK prej Greqisë, pasi kështu forcon fabulën e tij për distancën që ka me drejtësinë e re, dhe po bën gjithçka që Greqia të vazhdojë ta mbajë ndezur këtë retorikë e cila e nxjerrë atë, më të mirë se sa është, në Bruksel.

Ajo për të cilën ai bën si viktimë e sulmit të politikës greke ndaj tij, është në fakt nderi më i madh që po i bën Greqia, ndërsa ajo që ai nuk e thotë hapur dhe grekët nuk e pranojnë dot, është se ai thjesht nuk e konsideron rrezikun grek për anëtarësim në BE. Madje e lut që Greqia të jetë në anën tjetër të barrikadës, pasi kështu ka dhe një arsye më shumë patriotike për një fjalim të ri.

Edhe më i pasinqertë është kryeministri Micotaqis në dy raste. E para në deklaratat e tij të sotme, ai padashje e nxjerr pikërisht ndjenjën e paternalizmit ndaj Shqipërisë reflektuar tek ideja që rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Greqia, por këtë e maskon me çështjen Beleri. Çështja Beleri në aspektin e rrugës evropiane është në favor të Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Kjo tanimë është e provuar me qëndrime zyrtare të Bashkimit Evropian dhe SHBA. Ndjenja e paternalizmit grek ndaj Shqipërisë po. Ajo është reale dhe dominon mendësinë e politikës greke. Dhe Greqia ngjan nervoze se në Shqipëri është bërë e parëndësishme.

Së dyti Mictoaqis gënjen kur thotë se nuk kishim pse e pengonim Edi Ramën të bënte vizitë në Athinë. Negociatat e dy palëve mund të shërbejnë për një serial Netflixi, për qindra probleme që nxori qeveria qendrore duke bërë presion mbi çdo pronar salle në Athinë që të mos e pranojë takimin me kryeministrin shqiptar dhe mbi çdo inxhinier grek të mos firmoste garancinë për sallën, dhe i hapi rrugë kur e pa që çështja u bë e rëndësishme dhe mund të dominonte fushatën e tyre elektorale.

E vërteta e thjeshtë është se rruga e Shqipërisë për në Evropë, mund të kalojë edhe nga Athina, nëse Athina është në një gjatësi vale me Evropën, por në rastin e Belerit që i referohet Greqia, nga Athina mund të kalohet për ndonjë buzuk, por jo për në Bruksel.

Kurse sa i takon shqetësimit që ka krijuar SPAK në politikën shqiptare, është ku e ku më larg se ai që ka krijuar në politikën greke. Dhe në këtë rast Micotaqis ka plot aleatë të heshtur në Shqipëri, përfshi dhe ata që thonë jemi me SPAK. Ndaj lodhet kot të na shpjegojë që SPAK ka gabuar. Po qe se shpëton politikën shqiptare nga SPAK-u, në emër të Evropës, janë gati ta marrin në supe të gjithë.

Atëherë mund të ribëhet i rëndësishëm për politikën shqiptare. Duke kërcënuar për integrimin evropian, nuk tremb njeri, pasi integrimi evropian, nuk është ndonjë rrezik më i madh se SPAK për politikën shqiptare. Eshtë vonë shumë dhe i paqartë se si mund ta tremb politikën shqiptare.

Continue Reading

Shkrime

Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Nga Enver Bytyçi

Vendet e QIUNT-it, d.m.th. ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para pak ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj.

E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd.

Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”!

Ndërkaq u kërkohet autoriteteve të Kosovës të pranojnë diçka që nuk ekziston në Kosovë. Të pranojnë që poet serbë të vijnë nga Beogradi në Kosovë për t’u thënë serbëve të Kosovës “Mos u integroni në shtetin dhe institucionet e vendit, sepse Kosova do të rikthehet nën Serbi”! Ambasada e Francës dhe të katër vendeve të QUINT-it i njohin dhe i dinë këto fakte. Pse atëherë bëjnë presion mbi qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të saj?!

Shtetet e QUINT-it janë një forum konsultativ në funksion të shtetësisë së Kosovës. Ato për një periudhë kohe kishin nën vëzhgim, sipas Planit Ahtisaari, pavarësinë e Kosovës.

Dhe është e natyrshme që ky vëzhgim të vijojë, edhe pse “periudha e pavarësisë së vëzhguar” ka përfunduar para shumë vitesh. Kur u krijuar ky forum, ato premtuan ta ndihmojnë Kosovën për forcimin e shtetësisë dhe institucioneve. E në fakt po ndihmojnë në çdo rast Serbinë të jetë e pranishme në Kosovë,  madje nuk harrojnë thonë se këto vërejtje i bëjnë “për të mirën e Kosovës”! Së paku nuk duhet që t’i marrin shqiptarët për njerëz injorantë e kaq naivë. Nuk duhet gjithashtu t’u besojnë më serbëve, sipas të cilëve “shqiptarët janë njerëz me bisht”!

Nga ana tjetër, sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”.

Edhe këtu ka diçka përtej këtyre spekulimeve. Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët.

Dialogu Kosovë-Serbi, ashtu si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, u imponuan nga administrata Obama dhe ishte “për çështje teknike”. Kështu është thënë në vitin 2011, kur u imponua me kushtet e 9 pikave të Ban Ki Mun. Megjithatë nën kujdesin e këtyre pesë vendeve të QUINT-it ai shndërrua në dialog politik dhe tani jemi në pikën kur bëhen përpjekje për të revokuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Continue Reading

Shkrime

Pritini kokën Albin Kurtit, por…

Nga Andi Bushati

Kori i rakorduar i kundërshtarëve të Albin Kurtit mes Tiranës dhe Prishtinës është riaktivizuar sërish, duke marrë këtë herë si pretekst një episod të ri të një refreni të vjetër: atë se kokfortësia e kryeministrit të Kosovës po thellon çarjen me perëndimin. Shkak për valën e kësaj here është bërë refuzimi që i shteteve kryesore të BE, për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti po akuzohet se i tha një “JO” të prerë futjes së një kushti të ri, atij të ndërlidhjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kriteret e pranimit në KiE. Ai e etiketoi si “absurd” këtë pretendim dhe nuk pranoi të bëjë pazar për të marrë antarësimin në një organizëm të rëndësishëm të kontinentit, në këmbim të bosnjëzimit të vendit të vet.

Natyrisht, pavarësisht nga arsyet apo justifikimet, “JO”-ja e tanishme nuk është një lajm i mirë. Mospërfundimi i antarësimit të plotë pasi pjesa dërrmuese e asamblesë parlamentare ka votuar me shumicë dërrmuese pro Kosovës, i jep gjithësecilit të drejtën të flasë për një dështim. Por, përtej këtij konkluzioni sipërfaqësor, konteksti dhe rrethanat e këtij refuzimi duhen analizuar.

Në radhë të parë ato krijojnë një kontradiktë sistemore mes deputetëve të asamblesë parlamentarëve që votojnë dhe vendimmarrjes të qeverive që shërbeu si veto. Ajo e shndërron në absurd krejt procesin e antarësimit në KiE. Së dyti, ajo nxjerr në pah edhe një kontradiktë tjetër. Dihet se Këshilli i Evropës ka në fokus të tij të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij.

Si i tillë, anëtarësimi i Kosovës në të do të nënkuptonte automatikisht më shumë garanci edhe për serbët lokalë. Prezenca në KiE dhe futja  automatikisht në juridiksionin e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut do i mbronte ata më shumë edhe sesa vetë asocacioni i i kërkuar me këmbëngulje nga Beogradi.

Por duket se vendet kryesore të perëndimit janë të gatshme të testojnë edhe dobësinë e institucioneve të tyre edhe të injorojnë interesat konkrete të qytetarëve serbë të Kosovës, vetëm për të arritur një qëllim: të vazhdojnë përpjekjen e kotë për të përkëdhelur Aleksandar Vuçiçin, që i shntazhon sistematikisht pqrmes aleatëve të tij Putin dhe Xi Jimping.

Duhet të jemi realistë, kushti për të penguar Kosovën si anëtare të 47 të Këshillit të Evropës ka qenë një lobim i hapur i Beogradit. Për interesa gjeopolitike fuqitë evropiane e pranuan atë. Ashtu sikurse pranauan marëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit, pavarësisht se Vuçiçi e kishte krahun e sëmurë për ta nënshkruar, ndërsa Prishtina qe e gatshme ta bënte.

Këto standarte të dyfishta u panë edhe në kërkesën gojore, ndryshe nga sa parashihnin draftet e planit franko gjerman, për të filluar së pari punën me asociacionin. Ato u theksuan më tepër me fajësimin e Kosovës për krizën në katër komunat veriore, ndonëse dukej qartë se Beogradi ishte ideatori i kaosit të krijuar. Ato kulmuan me vendosjen e sanksioneve ndaj Prishtinës dhe me ledhatimin e presidentit serb, edhe pasi ky dërgoi paramilitarët e vet, të kryesuar nga Radioçiç të kryenin sulmin terrorist në Banjskë.

Pra e gjithë kjo kronologji të çon në një konkluzion të stërthënë, të pranuar në mënyrë të zëshme edhe nga shumë politikanë dhe analistë në Evropë e SHBA, atë të kristalizimit të një politike prendimore që do të sakrifikojë interesat e Kosovës me shpresën për të mos lënë të dalë nga vatha Vuçiçin.

Ky është edhe thelbi i konfiktit të fundit me veton për antarësimin në KiE, që Franca dhe Gjermania e kushtëzuan, papritmas, me shpënien e draftit për asocacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Pyetja që shtrohet përpara të gjithë armiqve, kritikëve të Albinit apo servilëve të shpallur të fuqive të mëdha është: çfarë duhet të bëjë një lider kosovar kur atij i kërkohet, nga aleatët e vet, të nënshkruajë koncesione në favor të Serbisë? Ti bindet qorrazi? Apo ti rezistojë me koston jo të lehtë të sanksioneve personale dhe vonesave për vendin?

Pa zgjidhur këtë dilemë nuk mund të kesh një pozicion të ndershëm dhe të drejtë në raport me veprimet dhe aktet e Kurtit. Ndaj tij mund të jesh i ashpër, t’i kërkosh politikisht madje dhe kokën, ti vësh në dukje shkarjet në koherencë, taktizimet për të fituar kohë, piruetat për të shmangur trysninë e tmershme ndërkombëtare, por nuk mund ti kërkosh asesi shitjen e mandatit për të cilin është votuar.

Se ç’ndodh në raste të tilla e kemi parë shpesh herë, madje e provoi së fundi edhe fati i LSDM në zgjedhjet në Maqedoni. Forca politike që sillen si lakej të ndërkombëtarëve, në të kundërt asaj që do dhe kërkon populli i tyre, rrezikojnë të zhduken nga harta elektorale. Përpos kësaj, ata i hapin rrugën partive dhe rrymave gjithnjë e më nancionaliste dhe anti perendimore.

Mund të duket tejet paradoksale, por ajo që kritikohet si rezistenca kokfortë e Albin Kurtit, po e mbron Kosovën nga ngjizja e sentimenteve kundër vendeve aletate për shqiptarët. Duke i thënë atyre jo për polotësimin e kërkesave të Serbisë qeveria e Vetëvendosjes po ruan vazhdimsinë e besimit tek SHBA dhe BE.

Pikërisht kjo vlen edhe për mospranimin e veçimit së Asociacionit nga paketa e marrveshjes që pretendohej se do të prodhonte njohjen “de facto” të Kosovës. E këtu duhet qëndruar, qoftë edhe me çmimin e padrejtë të vonesës së antarësimit në KiE.

Continue Reading

Shkrime

Gabimi i rëndë i Perëndimit me Albin Kurtin

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit.

Duke kritikuar atë që e sheh si diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe thotë se Asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Serwer u shpreh se “Kosova duhet të jetë gati për një përshkallëzim të ri të situatës me Serbinë, dhe i bëri thirrje SHBA që përveç raketave të dërgojë në veri edhe dronë”.

Duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serwer ka përmendur edhe Asociacionin si kusht që i është vënë Kosovës nga Franca dhe Gjermania për futjen në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke thënë se kjo është e padrejtë.

“Nuk është e drejtë. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim, është një gabim i rëndë dhe diplomaci e keqe”- ka thënë analisti amerikan duke potencuar gjithashtu se po minohet definitivisht edhe besueshmëria tek bashkësia ndërkombëtare.

“Njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera po kuptojnë se bashkësia

ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në veri.

Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e Manastirit të Deçanit”- theksoi Serwer duke shtuar se i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti që nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave.

“Kurti ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se Asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por, të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar” – theksoi Serwer dhe sipas tij, Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës………

Ai ka folur edhe lidhur me armatimin e Serbisë rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Kosovës, duke thënë se “ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe mendoj se është e rëndësishme që Kosova të përgatitet për këtë”.

“Një nga gjërat e mira që kanë bërë amerikanët është autorizimi i shitjes së raketave antitank Javelin në Kosovë. Do të doja të shihja që edhe disa dronë të shkojnë në Kosovë. Unë mendoj se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë nevojë për pajisjet, trajnimin, organizimin e nevojshëm për të penguar çdo përpjekje të Serbisë për të pushtuar territorin, veçanërisht në veri”, tha analisti amerikan Daniel Serwer.

 

 

Continue Reading

Shkrime

Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Nga Lorenc Vangjeli

Nëse Sali Berisha është mbreti i kurorëzuar, Gazmend Bardhi është princi i errët i inkoherencës. Të dy së bashku, në një listë ku nuk mungojnë as politikanët më të rëndësishëm shqiptarë. Berisha dhe Bardhi janë at e bir në zanatin e mohimit total të asaj që kanë pohuar më parë si të vërtetë absolute, të pranimit të krejt të kundërtës të asaj çfarë kanë refuzuar me ngulm, ustallarë abrakadabra në zanatin e të bërit mik të armikut dhe për t’u sjellë me armiqësi brutale me ish-miqtë. Në çdo rast dhe rast pas rasti, sa herë që interesi ju ka lypur, ata nuk kanë hezituar të përmbysin tryezën që kishin shtuar vetë për gosti dhe për të bërë gosti në tryezat e gjithë dynjasë. Edi Rama e Ilir Meta, për shkak të jetëgjatësisë në politikë, kanë notuar në të njëjtat ujëra të errëta, kur rrjedha e interesit i ka çuar në drejtim tjetër, në të njëjtën luhatje lavjerësi mes skajesh që kundërshtojnë njëri-tjetrin, por më së paku ata përfaqësonin dy parti të ndryshme. Askush tjetër nuk e ka bërë këtë gjë, brenda të njëjtës familje politike si Berisha e Bardhi. Askush si ata nuk ka konsumuar atë vlagë urrejtjeje të dikurshme dhe dashurie reciproke të tashme që çmend edhe kujtesën e google-it. Dhe mbi të gjitha, formulimin e gënjeshtrës publike që as nuk skuq zvjerdhjen dhe as nuk zverdh skuqjen nga turpi publik, kur interesi dikton ndryshe. Dilema nëse e ka kallëzuar apo jo vëllain e kryeministrit, Ramën Jr., ishte vetëm stacioni i fundit i një marrëzie që ka për autor absurdin. Ose ka, ose nuk ka kallëzim penal dhe vetë SPAK-u thotë jo! “Askush nuk na ka trokitur në derë, ndaj nuk ka asnjë kallëzim mbas dyerve tona”, ishte sqarimi i fundit që nuk skuqizverdhi Bardhin.

Deri në momentin e kapërcimit të ylberit të radhës, Bardhi, ose fenomeni Gaz në pandeminë parapolitike shqiptare, ishte padyshim një nga dy-tre deputetët e vetëm opozitarë që ka pasur një bilanc konkret. Madje të lavdërueshëm dhe të jashtëzakonshëm. Autor i ekzekutimit politik të një numri mbresëlënës deputetësh të maxhorancës apo kryetarësh bashkish, askush si ai nuk ka shfrytëzuar fushën e veprimit të ligjit të dekriminalizimit. I qartë dhe i artikuluar, metodik dhe cinik në atë luftë me disa beteja të njëpasnjëshme, Bardhi trysnoi opinionin publik me zbulimet e tij për të shkuarën e tyre dhe u bë shkas për ndëprerjen e mandateve të marra në kundërshtim me ligjin. Edhe pse i llogaritur dhe i pjesshëm – në dosjet e tij janë të paktën dy emra drithërues të majtë, viktima direkte të dekriminalizimit, që ai po i kursen për arsye të tjera – me standartet e Tiranës, llogaria dhe orientimi nuk hyjnë në listën e mëkatëve politike. Dhe askush nuk mund ta fajësojë atë. Ajo çka e bën atë princ dhe pasardhës të Berishës është krejt tjetër gjë. Eshtë pirueta alogjike që ai morri së paku në harkun e një viti e gjysmë. Duke nisur me dimrin e vitit të shkuar, kur nga krahu i djathtë i ish-shefit të tij Basha, ai zgjodhi supin e Saliut për t’u mbështetur për bastin e tij personal. Kush ka harruar – dhe në Tiranë kujtesa është vetëm virtyt i google – mund të shënjojë ashpërsinë e tij me Sali Berishën mbas përjashtimit të ish-kryeministrit nga grupi PD. Asokohe Bardhi ishte zëdhënës i grupimit që nuk e falte për asgjë “babin e Zenit” dhe nuk kursente për parim as vilat e Nokës e Shehut dhe as banditët trafikantë që i shërbenin njerëzve të partisë së tij. Sa më shumë heshtte Basha, aq më shumë shpërthente Bardhi që kishte marrë flamurin amerikan për të mposhtuar antiamerikanët e partisë. Njëlloj si ai, edhe një numër mbresëlënës demokratësh që non grata-n e shihnnin si vijë ndarëse mes të mirës dhe të keqes në parti dhe si ylberin që nuk mund ta kapërcehej për asnjë arsye. Por në fakt arsyet u shpikën dhe ylberi u kalua në mënyrën më të pabesueshme. Njëri pas tjetrit, si delet në shpellën e Ciklopit, ata dolën nga dyert e blinduara të PD-së për t’u përqafuar me Ciklopin e tyre sepse “…ky ishte vullneti i bazës së partisë”. Por kjo është vetëm ajo që duket dhe dukja përgjithësisht është gënjeshtare. Thelbi qëndron gjetkë. Me teknologjinë e puthjes aty ku kishte pështyrë, Gazmend Bardhi më së shumti, po tenton të imponohet në parti me një skemë të qartë: Pavarësisht formës, unë jam e njëjta gjë me Berishën! Pavarësisht se do të humbasim në 2025-ën, unë do të firmos listat e 2029-ës. Ky është thelbi i arsyeve për mozaikun e ri të interesave, aleancave, miqësive dhe armiqësive të reja në PD. Të raporteve të ndërlikuara mes Bardhit e Këlliçit, për shembull dhe një serie emrash të tjera që notojnë në të njëjtat ujëra inkoherence apo edhe hijes së zonjës Malltezi si trashëgimtare në tribunën e nesërme.

Edhe përdorimi i skandaleve të qeverisjes, e mbi të gjitha, edhe kryqëzata kundër bashkisë së Tiranës ka në thelb të njëjtën teknologji e të njëjtën prapaskenë. Përtej dobisë publike të denoncimeve, e pathëna e tyre është një luftë faktorizimi për pozicionet në PD-në e nesërme sërish në opozitë, por dhe një sy i shkelur ndaj rrymave të nëndheshme e kundërthënëse në PS. Një luftë në të cilën, për paradoks, vetë skifterët e PD-së, shkojnë të rreshtuar në aleanca fluide me disa nga kundërshtarët e tyre në dëm të disa të tjerëve. Kur ta kuptojnë se po gabojnë disa fish, kur aksionet e tyre, fjala vjen, në vend që të rrënojë siç duket se duan, po forcojnë Veliajn në PS, kur në vend që të yshtin ndarje mes tij dhe Ramës, vetëm i japin zë tezës së besnikërisë së bashkiakut për qeveritarin që i mbeti besnik edhe kur të tjerët kishin ikur në vitet 2011-2013, kur në vend që të defaktorizojnë SPAK-un, e bëjnë më të rëndësishëm atë institucion, me siguri do të jetë vonë. Do të jenë vonë në dëshpërimin e tyre që ndjek pyetje-përgjigjet: Ku ishe? Asgjëkundi! Çfarë bëre? Hiçmosgjë! Sepse pavarësisht sesi do të ndodhë, princi i inkoherencës, së paku në projektin e tij, kërkon të bëhet pasardhës i mbretit Sali dhe njeriu që do të firmosë listat për deputetë në vitin e largët 2029. Së paku ky është shpjegimi se pse Gazi është kundër Bardhit dhe pothuaj të gjithë janë kundër Gaz Bardhit në PD. Dhe për paradoks, si vëzhgues i hollë i dobësive njerëzore, edhe vetë Edi Rama, në mungesë të Sali Berishës, me siguri do të zgjidhte pikërisht Bardhin për kryetar të PD-së.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING