Connect with us

Kosova

Kurti i sulmoi në fushatë, grupi “Devolli” i përgjigjet: Jep llogari, mos kërcëno 15 mijë familje

Familja “Devolli” në Kosovë ka reaguar ndaj sulmeve dhe kërcënimeve që i kanë ardhur nga kryeministri Albin Kurti pak ditë më parë gjatë një takimi elektoral në Pejë.

Në një deklaratë për mediat, ky grup i konsideron deklaratat e Kurtit si fyese dhe të pakuptueshme. Sipas tyre gjatë fushatës elektorale, kryeministri duhet të japë llogari para qytetarëve për çfarë ka bërë gjatë katër viteve dhe jo të sulmojë kompanitë private.

“Me keqardhje kemi përcjell deklaratat e paarsyeshme, fyese dhe të pakuptueshme të kryeministrit Albin Kurti, dje në Pejë. Nga tradita demokratike në Kosovë, në Evropë dhe gjithandej botës, gjatë zgjedhjeve janë qeveritë ato që duhet të japin llogari për punët që kanë bërë, apo që nuk i kanë bërë. Janë qeveritë dhe kryeministrat ata që tregojnë me shifra dhe fakte se sa e kanë rritur mirëqenien e popullit të tyre, sa vende pune kanë shtuar, sa investime kanë kryer dhe sa e kanë ndihmuar biznesin vendor. Prandaj është shumë e çuditshme të dëgjosh një kryeministër, i cili në vend të shpjegojë se çfarë ka bërë për popullin në katër vjet, ai sulmon kompanitë private për të cilat populli i Kosovës nuk ka votuar dhe nuk do votojë as në datën 9 shkurt”, thuhet në deklaratën e “Devolli Corporation”.

Sipas tij këtij grupi qeveritë duhet të përgjigjen përpara popullit dhe biznesi përpara ligjit. Ata i kujtojnë Albin Kurtit faktin që “Devolli Corporation” ka të punësuara 15 mijë familje në Kosovë që jetesën e tyre e kanë të lidhur me suksesin e këtij grupi ekonomik.

“Megjithatë, meqë Albin Kurti e ftoi Devollin në këtë ballafaqim të pavend dhe të panevojshëm, jemi të detyruar  t’i themi se me punën tonë të pandërprerë dhe të përkushtuar, NE punësojmë mbi 15 mijë familje të Kosovës, mirëqenia e të cilave, jetesa e tyre e përditshme, të ardhurat dhe shkollat e fëmijëve të tyre, varen direkt apo indirekt nga puna jonë. T’i kërcënosh mbi 15 mijë punëtorë, fermerë dhe kontraktorë, është diçka e pandershme dhe shumë e ulët që nuk duhet të kishte ndodhur në këtë fushatë zgjedhore”, vijon më tej deklarata.

Sipas “Devollit” “Ne i ndjekim çdo ditë zgjedhjet që zhvillohen në Evropë dhe në Amerikë, por askund nuk kemi parë Presidentë apo Kryeministra të sulmojnë kompanitë private. Përkundrazi, të gjithë liderët e botës së qytetëruar i ndihmojnë biznesit, në mënyrë që biznesi të ndihmojë popullin dhe ekonominë. Si përfundim duam ta garantojmë Albin Kurtin dhe të gjitha partitë politike në këto zgjedhje, se e vetmja gjë që na intereson, është ekonomia e Kosovës dhe mirëqenia e popullit. Për këtë qëllim jemi gati të bashkëpunojmë me të gjithë, pavarësisht flamurit partiak. Flamuri i Devollit është mirëqenia e Kosovës!”.

Teksa kryeministri Kurti ka lincuar publikisht në fushatën e tij elektorale vëllezërit biznesmenë Devolli, pasi sipas tij e kanë regjistruar biznesin në Serbi, pronari Shkëlqim Devolli është nisur për në SHBA ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Donald Trump të hënën e 20 Janarit.

Ai, së bashku me bashkëshorten Blerinën, kanë qenë edhe të ftuar nder në dasmën e familjes së Presidentit Trump, martesës së të bijës Tiffany me Michael Boulos. Gjithashtu, Devolli kishte zhvilluar edhe një takim të veçantë me Trump, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

Advertisement