Kosova
‘Kurti, kryeministri amator/ Takimi ‘ndryshe’ në Bruksel’
Për herë të parë një takim mes dy niveleve krejtësisht të ndryshme mes Kosovës dhe Serbisë, u mbajt të enjten e 27 shkurtit në Bruksel.
Takimi u zhvillua mes guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli dhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Fillimisht në takime të ndara e pastaj në takim trilateral nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, u kërkua një zgjidhje dhe shqyrtim për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë, por, sërish diskutimet mes palëve nuk çuan në ndonje rezultat.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lutfi Haziri, e konsideroi “tejet të çuditshme”, pjesëmarrjen e guvernatorit të BQK-së, Ahmet Ismajli, në këtë takim. Përmes këtij veprimi sipas tij pushteti tregoi se ka dështuar në dialog.
Dërgimin e BQK-së, në këtë takim e konsideron si vendim të gabuar dhe jo të duhur edhe analisti politik, Dritëro Arifi.
“Paaftësia e Qeverisë që te menaxhojë situatën, e ka dërguar vendin në një pozitë shumë të vështirë, pra mund të themi se ka qenë e panevojshme të dërgohet BQK-ja në Bruksel si pjesë e dialogut” – theksoi Arifi dhe shtoi se-
“Kjo është një hakmarrje e botës perëndimore ndaj Kosovës, për shkak të veprimeve të pakoordinuara që politikën monetare ta vendos në agjendën e dialogut në Bruksel, çdo thirrje nga Brukseli shndërrohet si pjesë e dialogut me dëshirë apo pa dëshirën e Kosovës”.