Kosova
Kurti luan trukun/ Analistët demaskojnë atë çfarë ai kërkoi në Shkup
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar gjatë Samitit në Shkup që procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE të ndahet plotësisht nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Këtë kërkesë, analistët, për Veçernje Novosti, e vlerësojnë si një tjetër truk të kryeministrit Kurti, për të mos përmbushur asnjë nga marrëveshjet e deritanishme me Serbinë.
Diplomati i karrierës Zoran Milivojeviç theksoi se deklarata e Kurtit është tregues se ai nuk ka ndërmend të përmbushë Marrëveshjen e Brukselit dhe të formojë Asociacionin e Komunave Serbe dhe se në këtë mënyrë u ka dërguar mesazh liderëve perëndimorë dhe Beogradit.
“Aderimi i Prishtinës në BE nuk meriton vëmendje, sepse nuk e ka statusin e shtetit, në të njëjtën kohë është e qartë se edhe Prishtina edhe qendrat e pushtetit perëndimor kanë të njëjtat synime, që është konfirmimi i shtetësisë së Kosovës. Kjo është një përpjekje për të detyruar njohjen e shtetësisë se Kosovës dhe një presion tjetër ndaj Serbisë”, tha Milivojevic.
Nga ana tjetër, profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Milan Krstiç, theksoi se Kurti më së shumti do të dëshironte të hynte në BE, pa përmbushur asnjë nga ato që iu ka premtuar serbëve.
Ish-shefi i diplomacies në Serbi, Vladislav Jovanoviç kujtoi se kjo deklaratë, si dhe veprime të shumta të ngjashme të Kurtit, tregojnë se ai nuk është thjesht një djalë i keq në Ballkan, por se është instrument i politikës së Perëndimit ndaj Serbisë.
“Gjithçka që ai bën është me një lloj miratimi të heshtur nga Perendimi. Ai e bën për të provokuar Serbinë, për ta detyruar atë të dalë nga qendra e saj parimore e gravitetit. Nën këtë është qëllimi që Perëndimi ta ‘kapë’ Serbinë duke bërë ndonjë gabim dhe më pas të gjykohet” – theksoi Vladislav Jovanoviç
“Fillimisht, procesi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe negociatat për anëtarësim me BE-në i janë shërbyer Beogradit si dy binarë të ndarë. Por ka kohë që jemi në pikën kur Perëndimi i ka tejkaluar këto dy rrugë.
Zyrtarët evropianë tani i kanë dorëzuar Serbisë kërkesat për anëtarësim – normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, gjegjësisht zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që në pjesët e saj të diskutueshme nënkupton njohjen e të ashtuquajturës pavarësi. Kosova dhe pranimi në OKB, si parakusht për anëtarësimin në familjen evropiane, është e papranueshme për Beogradin” – deklaroi ish kryediplomati