Kosova
Kurti mbi tavolinë asociacionin/ Roth: Parakusht për çfarëdo progres
Michael Roth, deputet gjerman, njëherazi kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, i ka kërkuar palës kosovare që t’i hedh propozimet për Asociacionin në tavolinë, në mënyrë që ky proces të bëhet më i dukshëm, si dhe theksoi se Asociacioni është parakusht për çfarëdo progresi.
“Jam i bindur se të gjitha palët e dinë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Veri të Kosovës është parakusht për çfarëdo progresi. Por, pyetja 1 milion dollarëshe është se si është struktura, si mund të funksionojë. Do të ishte ndihmuese, nëse miqtë tanë këtu në Kosovë propozojnë disa ide në tavolinë, që ta bëjnë procesin më transparentë dhe më të dukshëm. E di se disa miq dhe aleatë nuk janë të lumtur me idetë gjermane dhe franceze, por është një iniciativë për ta kapërcyer status quonë që është barrë për Kosovën. Mendoj se Serbia ndihet më rehat me status quonë politike. E di se janë disa thashetheme për Serbinë e Madhe se ajo ekziston ende në mendjet e liderëve në Serbi. Kjo mund të jetë, por jam shumë i sigurt se kjo ide, kjo ëndërr, ky vizion për Serbinë e Madhe nuk do të realizohet kurrë. Kjo ide destabilizon Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën” – deklaroi deputeti Michael Roth teksa dhe shtoi se është kundër Republika Srpska 2.0 në Kosovë dhe se një strukturë federale që nuk e prish karakterin unitar mund të jetë opsion.