Kosova
Kurti, ‘mbreti i luftës’, por Shqipëria s’mund të jetë ushtare e Albinit që ruan pushtetin

Analisti politik Baton Haxhiu duke pyetur se kush e kërkon luftën mes Kosoves dhe Serbise dhe kush e paguan çmimin e saj, tha se “Kur një lider politik ndihet i pafuqishëm, mjeti i tij i fundit është të prodhojë krizë”.
“Albin Kurti, duke e parë se terreni politik po i rrëshqet nga duart, po përpiqet ta zhvendosë debatin nga dështimi për të formuar qeveri tek rreziku i një konflikti të ri me Serbinë. Nëse e ndjekim këtë logjikë, ai llogarit se një luftë e re do të përfshijë Shqipërinë, diasporën dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duke krijuar një situatë ku Kosova bëhet epiqendër e një kauze të madhe kombëtare. Dhe ai bëhet “mbreti i luftës.”. Nëse logjika e Albin Kurtit përshkallëzohet deri në pikën ku ai synon të prodhojë një konflikt të armatosur për të siguruar mbijetesën e tij politike, atëherë ai nuk do ta kërkojë luftën vetëm për Kosovën, por do të përpiqet ta tërheqë dhunshëm të gjithë.”- ka deklaruar Haxhiu duke shtuar se “kjo është strategjia e aktit të kryer: të ndezë një konflikt ku Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe diaspora nuk kanë më luksin e zgjedhjes, por detyrohen të përfshihen.” “Por çfarë do të ndodhë atëherë? A është Shqipëria e gatshme të hyjë në një luftë të re për shkak të një llogarie të gabuar politike të një lideri të Kosovës? A mundet diaspora, që ka ndihmuar luftën e fundit, të pranojë një përballje të re në një realitet ku Perëndimi nuk ka më të njëjtën qasje mbështetëse si në vitet 1998-99? Si do të reagojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët e dinë shumë mirë që një përfshirje e tyre mund të ndezë një reaksion zinxhir që do t’i kthejë edhe ata në objekt të presioneve ndërkombëtare dhe të kërcënimeve shtetërore? Në këtë situatë, Shqipëria dhe faktori shqiptar duhet të reagojnë me mençuri dhe pragmatizëm, duke mos u bërë pre e një skenari të tillë të rrezikshëm. Tirana duhet të bëjë të qartë se një luftë e pakoordinuar nuk është në interesin kombëtar. Diaspora duhet të refuzojë të bëhet mjet i manipulimit politik për një luftë që nuk ka asnjë garanci për sukses, por vetëm për shkatërrim. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të ruajnë unitetin dhe të shmangin përfshirjen në një luftë që mund të përkeqësojë pozitën e tyre politike dhe gjeopolitike. Kurti mund të dëshirojë të bëhet “mbret i luftës”, por Shqipëria nuk mund të bëhet ushtar i një lideri që mendon për pushtetin e tij personal, dhe jo për interesin kombëtar. Ky është një kalkulim i rrezikshëm dhe mbi të gjitha i gabuar.
Ata që sot bërtasin më shumë për luftë janë pikërisht ata që nuk e kanë parë luftën nga afër në vitet 1998-99”- ka theksuar analisti i njohur duke shtuar se retorika e luftës nuk do ta ndihmojë Kosovën, por vetëm do ta izolojë dhe ta bëjë më të prekshme ndaj destabilizimit të brendshëm dhe ndërhyrjeve të jashtme.
“Prandaj, Kosova nuk ka nevojë për luftë. Kosova ka nevojë për mençuri. Në një vend ku ata që s’kanë luftuar bërtasin më shumë për luftë, dhe ata që luftuan dikur sot janë të heshtur sepse e dinë çfarë do të thotë lufta, ka ardhur koha që kjo hipokrizi të marrë fund. Trump dhe Vuçiq nuk kanë nevojë të shpikin një konflikt për Kosovën. Nëse liderët politikë në Prishtinë vazhdojnë këtë rrugë, ata do ta krijojnë vetë atë. Tani, ose Kosova e gjen një mënyrë për të vepruar, ose Trump dhe Vuçiq do ta zgjidhin problemin pa të.Dhe ajo zgjidhje nuk do të jetë e mirë për ne”- ka potencuar Baton Haxhiu.

