Kosova
‘Kurti mos ta përdorë Gjykatën Kushtetuese vetëm si mburojë për Asociacionin’
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson se të gjitha plotësim ndryshimet në draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili u pranua nga Kosova javë më pare, duhet t’i nënshtrohen filtrimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Marrëveshja e viti 2015 është ajo që siguron se statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e mira e asaj marrëveshje është që një gjë të tillë e ka pranuar Serbia, autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo është një arritje mjaft e madhe që duhet shfrytëzuar”, ka thënë Mustafa, duke vlerësuar edhe se në këtë rast kryeministri Albin Kurti, nuk duhet ta shfrytëzojë Gjykatën Kushtetuese vetëm si mburojë, por “duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që statuti të shkoj në Gjykatën Kushtetuese që të jetë plotësisht në harmoni me Kushtetutën”.
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një prononcim për media, ka theksuar se draft-statutin e Asociacionit duhet ta shohin të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Duhet ta shohin partitë opozitare, edhe pse po thonë që nuk e kanë parë, unë besoj që e kanë parë, por duan që t’i ikin përgjegjësisë, të mbulohen. Sepse nuk ka mundësi që në takim, emisari Lajçaku të zgjedh se kujt tja prezantojë e kujt jo draftin” – u shpreh Mustafa.