Connect with us

Kosova

Kurti në Bosnjë: Srebrenica ishte paralajmërim për Kosovën dhe botën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, që u zhvillua në Qendrën Memoriale në Potoçari.

Delegacioni nga Kosova nderoi kujtimin e 8,372 viktimave duke vendosur lule pranë varrezave, në shenjë respekti për burrat dhe djemtë boshnjakë të vrarë nga forcat serbe në vitin 1995, në aktin më të rëndë gjenocidal në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan gjithashtu ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, e kuruar nga Aziz Osmanoviç, që përmes objekteve personale sjell rrëfime prekëse të viktimave dhe të mbijetuarve.

Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi masakrën e Srebrenicës si dëshmi të tmerrit të regjimit të Millosheviçit dhe paralajmërim për qëllimet gjenocidale të Serbisë edhe në Kosovë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për të ruajtur kujtesën historike dhe për të qëndruar në krah të së vërtetës dhe viktimave.

Advertisement