Shkrime
Kurti në pozicion “lose-lose”/ Weber: Ai po bën gabime, Perëndimi po e pranon se dialogu po dështon
Njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor dhe eksperti Bodo Weber, ka folur për takimin e 14 shtatorit në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kreut të shtetit serb, Aleksander Vuçic. Ai ka thënë se prapa dyerve të mbyllura, zyrtarë perëndimorë, po e pranojnë gjithnjë e më shumë se procesi i dialogut me qasjen aktuale dhe Marrëveshja Themelore janë duke dështuar. Weber u shpreh se ky proces dialogu me synim arritjen e një zgjidhje të ndërmjetme në vend të një marrëveshje finale, shihej qysh në fillim që do të dështonte. Sipas tij, dështimin e vulosi përfundimisht Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, kur nga Ohri e deklaroi si sukses atë që Weber e cilëson si “dokument kryesisht bosh”.
“Në fakt, i gjithë procesi, me këtë qasje, ishte i dënuar të dështonte që nga fillimi i tij në gusht të vitit të kaluar dhe fati i tij u vendos përfundimisht kur Borell në Ohër vendosi të deklarojë si sukses një dokument kryesisht bosh”, ka thënë eksperti gjerman
Weber deklaroi se ajo çfarë aktualisht është duke ndodhur në negociata, është se Kosova dhe Serbia janë duke u sjellë me qëllimin e tyre që Marrëveshja të mos implementohet kurrë dhe se sytë i kanë tek zgjedhjet e reja në Bashkim Evropian, më konkretisht tek përfundimi i mandatit të Borell dhe Lajcak. Këtë Weber e argumentoi duke thënë se Kosova, me të drejtë dhe fatkeqësisht, nuk i beson mjaftueshëm procesit dhe Perëndimit, për të qenë e gatshme të bëjë kompromiset që i kërkohen. Weber tha se presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, e gjen veten në një pozicion “Win-Win“, meqë sipas tij Perëndimit ka zgjedhur vazhdimin e politikës së butë ndaj Serbisë, në vend që të përdorte mundësinë që iu dha nga lufta në Ukrainë për një kthesë strategjike të Serbisë duke i bërë presion Beogradit në të gjitha tri frontet, atë të balancimit gjeopolitik në mes të Lindjes dhe Perëndimit, Kosovës dhe demokracisë. Ekspeti gjerman theksoi se kjo po i krijon pozitë të favorshme Vuçiqit me qendrat Perëndimore dhe me Qeverinë Kurti “duke u siguruar që faji për dështimin e procesit t’i vihet Prishtinës, jo Beogradit” Sipas Weber, aspekti tjetër dhe treguesi i dështimit të fazës aktuale të dialogut është fakti se asnjëherë në historinë e gjatë të dialogëve të ndryshëm, s’ka ndodhur qe negociatat për një marrëveshje dhe nënshkrimi i marrëveshjes, të shoqërohen me përkeqësimin e situatës në terren. Weber tha se gjithashtu se Qeveria Kurti dhe ekipi i tij janë “trimëruar në pikëpamjet e tyre dogmatike dhe qasjen ndaj serbëve të Kosovës, veçanërisht në veri”, nga synimi që Perëndimi ta fus Kurtin në një qoshe bashkë me “iniciativën e tij të keq projektuar”.
“Mbetet një fakt i dhimbshëm se komuniteti serb në Kosovë, veçanërisht në veri të Ibrit, vazhdon të jetojë në një zonë të errët në dhe në mes dy shteteve – Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se provat e ndermarra nga Albin Kurti, përmes veprimeve të njëanshme, të mbështetura në “narrativen e rreme të sundimit të ligjit” dhe me njësitë special, mund të çojnë vetëm në integrimin e një territory pa popullatë.
Lidhur me gjuhën e ashpër të kryeministrit Albin Kurti ndaj emisarit sllovak, Miroslav Lajcak, Weber u shpreh se është reflektim i i një raporti të thyer thellë në mes Kurtit dhe negociatorëve. Ai tha se derisa Kosova është vënë në një pozicion ‘lose-lose” nga Perëndimi, Berlini, Parisi, Uashingtoni dhe Brukseli, Qeveria Kurti në shumë aspekte po vepron në mënyrë kundërproduktive ndaj interesave të vet, të Kosovës dhe pozicionit të vet në negociata. Eksperti gjerman tha se në këtë mënyrë Kurti ka ndihmuar qendrat Perëndimore për të bindur veten e tyre se problemi aktual qëndron në Prishtinë dhe në të njëjtën kohë e ka bërë pozicionin e Vuçiqit edhe më të rehatshëm.