Kosova
Kurti paralajmëron katastrofë institucionale: Dekreti i Osmanit, shkelje e rëndë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pretenduar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit përbën “shkelje të rëndë të rendit kushtetues”, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të ndërhyjë me masë të përkohshme.
Në kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Kurti argumenton se vendosja urgjente e një mase të tillë ishte e domosdoshme për të parandaluar pasoja serioze për funksionimin institucional të vendit dhe për të shmangur krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe institucionale.
Sipas tij, rreziku është shtuar edhe më shumë pasi presidentja Osmani, në të njëjtën ditë kur nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, kishte ndërmarrë hapa për zbatimin e tij duke ftuar partitë politike në një takim konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: ‘Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, thuhet në kërkesën e Kurtit.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se, nëse dekreti do të mbetej në fuqi, ekzistonte rreziku që zgjedhjet e reja të shpalleshin brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh, duke e bërë procesin institucional praktikisht të pakthyeshëm.
“Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë”, shkruan ai.
Në fund, Kurti thekson se rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real, pasi edhe në rast të një vendimi të mëvonshëm për antikushtetutshmërinë e dekretit, rikthimi i situatës në gjendjen e mëparshme juridike do të ishte jashtëzakonisht i vështirë.
Pas kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme me të cilën ndaloi çdo veprim nga presidentja dhe Kuvendi deri në fund të këtij muaji.