Connect with us

Kosova

Kurti pas takimit me liderët politikë: Ofruam dy kompromise, por përgjegjësia për Kuvendin është e përbashkët

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar përfaqësuesit e subjekteve politike që iu përgjigjën ftesës së tij për dialog, në përpjekje për të tejkaluar bllokimin politik që ka pasuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një deklaratë për mediat, Kurti theksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon Vetëvendosjes si partia më e votuar, por theksoi se ndërtimi i institucioneve, përfshirë Kuvendin, është një detyrë që bie mbi të gjitha forcat parlamentare.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë të qartë se nuk është ajo që zgjidh përplasjet politike mes grupeve parlamentare. Gjykata ka kërkuar dialog, bashkëpunim dhe marrëveshje në frymë mirëbesimi – dhe ne kemi ndërmarrë hapa konkrete në këtë drejtim,” u shpreh Kurti.

Ai bëri me dije se gjatë takimit me liderët e tjerë politikë ka paraqitur dy propozime kompromisi, por që sipas tij nuk u pritën me mirëkuptim nga opozita. “Kompromisi i parë ishte që nëse kandidatja jonë për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk merr mbështetjen e mjaftueshme në votim, ajo do të tërhiqet. Ky ishte një hap i rëndësishëm nga ana jonë, por nuk pati reflektim. Ndërsa kompromisi i dytë konsistonte në një marrëveshje të paketuar që përfshinte emërimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit,” shpjegoi ai.

 

 

Kurti e përfundoi deklaratën me një thirrje për përgjegjësi politike dhe theksoi se mbetet i hapur për bashkëpunim në funksion të interesit të qytetarëve dhe respektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Advertisement