Kosova
“Kurti, pjesë e disa forcave të ish UÇK-së që kërcënuan me vdekje Hashim Thaçin” – A do ta ketë guximin e tij?
Të enjten e 14 shtatorit Brukseli do të jetë nikoqir i takimit të radhës së nivelit të lartë të dialogut në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it, njoftoi Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njëherazi top-ndërmjetësuesi i procesit.
Ndonëse agjenda e takimit nuk dihet ende, tashmë është e qartë se në tavolinë do të bisedohet mbi implementimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, e dakordësuar më 27 shkurt dhe e përforcuar me një shtojcë më 18 mars.
Si një ballafaqim të radhës e cilëson, filozofi dhe publicisti, Shkelzen Maliqi, ofensivën diplomatike ndërsa shton se Kurti është zotuar për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Nëse Kurti është i sinqertë, do të duhet të reflektoj mbi obligimet dhe realizimin e të cilave i ka marrë përsipër. Së shpejti ai do të jetë në lëkurën e Hashimit në dy javët e fundit të Konferencës së Rambujes kur edhe Kurti vetë ishte pjesë e atyre forcave të UÇK-së që e kërcënonin me vdekje atë kohë Thaçin, nëse nënshkruante marrëveshjen” – deklaroi Maliqi dhe pyeti: – A do ta ketë Kurti guximin e Hashim Thaçit?”.
Zyrtarët evropianë janë në pritje që palët e angazhuara në terren t’i përmbushin pa vonesa të mëtejme kërkesat e qarta që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor për de-eskalimin e situatës në Veriun e Kosovës dhe krijimin e kushteve për rinisjen e dialogut.
Kosova aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa situata nuk do të ndryshojë derisa autoritetet të ndërmarrin të gjithë hapat që janë kërkuar paraprakisht për de-eskalim.
Albanian Post