Kosova
Kurti pjesëmarrës në panairin më të madh të industrisë dhe teknologjisë, “Hannover Messe 2025”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në panairin ndërkombëtar të teknologjisë dhe industrisë “Hannover Messe 2025”, vizitoi stendat dhe pavijonet e disa prej kompanive më të njohura në fushën e teknologjisë dhe automatizimit, si Bosch Rexroth, Festo, Siemens, Aleph Alpha, SAP dhe Schneider Electric. Ai pati mundësinë të njohë nga afër punën që këto kompani zhvillojnë në fushat e teknologjisë inteligjente të prodhimit dhe automatizimin industrial.
Kryeministri pati gjithashtu një takim me Steffen Haack, drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, dhe Jochen Köckler, drejtorin ekzekutiv të Deutsche Messe, organizator i panairit, ku diskutuan mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit për të ardhmen.
Në këtë vizitë, ai ishte shoqëruar nga ministrja Rozeta Hajdari, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, dhe Këshilltarja Politike, Fëllanza Podrimja.
Panairi i këtij viti, i cili do të zhvillohet nga 31 mars deri më 4 prill, ka si moto “Shaping the future with technology”. Kosova është përfshirë për të dytin vit radhazi në këtë panair, duke promovuar bizneset vendore dhe mbështetur eksportet dhe gjetjen e tregjeve të huaja për produktet dhe shërbimet kosovare.

