Connect with us

Kosova

Kurti: Shqiptarët në Serbi të marrin pjesë në regjistrim

Kurti fton shqiptarët në Serbi të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Serbi të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronës, një process që ka nisur më 1 tetor dhe do të zgjasë deri në fund të po këtij muaji. Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kurti tha se shqiptarët që jetojnë në Serbi “vazhdimisht përballen me diskriminim kombëtar e njerëzor”.

Sipas Kurtit, ky proces për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që të regjistrohen. Dëshmoni me vendosmëri se jeni aty” – tha Kurti

Përfaqësuesit politikë nga të gjitha partitë që përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Serbi, përmes një deklarate të nënshkruar në korrik të këtij viti, u zotuan se do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë dhe banesave në Serbi pasi kishin bojkotuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, kryesish në tri komunat në jug, që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës.

Në vazhdimësi, partitë politike të shqiptarëve në Serbi janë ankuar se pakica shqiptare përballet me diskriminim. Ata po ashtu kanë shprehur shqetësimin për procesin e pasivizimit të adresave, që sipas politikanëve shqiptarë, po bëhet për të ndryshuar “strukturën etnike” të tri komunave ku jeton shumica e pakicës shqiptare në Serbi.

Më 2021, Komiteti i Helsinikit për të drejtat e njeriut në Serbi, tha se Beogradi zyrtar, në mënyrë që të ulë numrin e shqiptarëve në Luginën e  Preshevës, po kryen procesin e “pasivizimit të banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë, qoftë në Kosovë apo në shtetet evropiane.

Sipas Komitetit të Helsinkit, kur një adresë banimi pasivizohet dhe hiqet nga libri amëz në Serbi, “ai person praktikisht pushon së ekzistuari”.

Personave që u pasivizohen adresat nuk mund të pajisen me letërnjoftim apo pasaportë të re. Rrjedhimisht, sipas Komitetit të Helsinkit, atyre u ndalohet të blejnë apo shesin prona, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe në shërbimet sociale dhe të votojnë në zgjedhje, qofshin ato lokale apo të përgjithshme.

Advertisement