Kosova
Kurti takim me Lajçak: Marrëveshja të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot në Greqi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti ka bërë të ditur se me Lajçakun ka diskutuar për takimin e radhës në Bruksel dhe zgjedhjet e fundit lokale në katër komunat në veri.
Ai ka shkruar se marrëveshja bazë duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt. “Pa parakushte dhe pa vonesa.”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell do të thërrasë të martën (2 maj) një takim të nivelit të lartë në Bruksel si pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, siç informoi BE, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajcak do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët, duke filluar nga ora 18:00.
Ndryshe, takimi më 2 maj do të jetë i pari ndërmjet kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç, që nga dakordimi në Ohër më 18 mars për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, dy kryenegociatorët e dialgout, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç janë takuar me 4 prill, kur është thënë se ka pasur pajtim për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur./KosovaPress