Connect with us

Kosova

Kurti thirrje urgjente: Vuçiç në koordinim me Rusinë po përgatisin kërcënime të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka alarmuar se Serbia, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatisin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, Kurti teksa ka numëruar krimet e Serbisë në luftën në Kosovë, ka thënë se pavarësisht dëshmive të gjenocidit në Kosovë, kjo nuk po e pengon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të kërcënuar sërish.

Deklarata e kryeministrit u tha rreth dy orë para konferencës së paralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në të cilën pritet që ai t’i prezantojë ato që i ka quajtur kërkesa të Serbisë “për shkak të sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”. Në një deklaratë të martën, Vuçiçin pati thënë se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur”.  Në Serbi ka pasur raportime në disa tabloide se një nga opsionet mund të jetë që Vuçiqi të premten të shpallë okupimin e Kosovës.

“Vuçiçnë koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”, ka shkruar Kurti të premten.

“25 vjet pas gjenocidit në Kosovë, me 186 masakra, rreth 500 varreza masive në Kosovë, 5 varreza masive në Serbi, ku mbetën të vrarë mbi 13 mijë njerëz (1392 fëmijë; 1739 gra; 1882 të moshuar), rreth 20 mijë gra e vajza të dhunuara dhe keqtrajtuara, dhjetëra mijëra qytetarë të persekutuar, mbi 860 mijë të dëbuar nga Kosova dhe qindra mijëra të tjerë që nga malet shihnin qysh po ju plaçkiten e digjen shtëpitë (gjithsej 119,855 sosh), dhe ende 1595 persona të zhdukur me dhunë, qindra familje që jetojnë me ankth e dhembje, ndërsa i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj, Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës”, ka vazhduar kryeministri.

Kurti ka thënë tutje se Serbia fle mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. Teksa ka prezantuar shifrat, ai ka thënë se Serbia ka zgjedhur anën e kundërt të kërkim faljes, duke përsëritur kërcënimet e ultimatumet. Kurti ka thënë se të gjitha këto Serbia po i kryen në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë.

Advertisement