Connect with us

Kosova

Kurti-Vuçiç/ Lajçak: Të shmanget çdo veprim që përkeqëson atmosferën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar ditën e sotme me Miroslav Lajçak përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Gjatë takimit të tyre u bisedua për takimin që do të mbahet në 2 maj në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiçit.

Takimi mes tyre ka ndodhur në Athinë gjatë forumit të Delfit ku Kurti po merr pjesë në Forumin Ekonomik i cili organizohet nën përkujdesjen e presidentes së Greqisë.

Përmes një postimi në twitter, Lajçak foli për tematikën e bisedës dhe shtoi se është e rëndësishme të shmanget çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën mes dy vendeve.
“Në forumin Delphi në takimin tim me Kryeministrin Albin Kurti, theksova rëndësinë e takimit të dialogut më 2 maj. Do të jetë një hap i rëndësishëm përpara dhe është e rëndësishme të shmangni çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën”, ka shkruar Lajçak

Nga ana tjetër zyra e shtypit të qeverisë së Kosovës njoftoi se Kurti i ka theksuar Lajçakut se duhet të ketë zbatim të marrëveshjes së Ohrit të dakordësuar në 18 mars mes tij dhe Vuçiçit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, më 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Stano nuk i ka komentuar kritikat e bëra nga krerët shtetërorë serbë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Advertisement