Kosova
Kush bëri lojëra në Bruksel/ Çfarë shkruajnë mediat botërore për takimin Vuçiç-Kurti
“Liderët e BE-së të enjten nuk arritën të bindin Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim në përpjekjen afatgjatë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve ballkanike” – Kështu shkruan ‘France 24’. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan bisedime të ndara me zyrtarë të lartë të BE-së dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Bruksel. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se është vënë në tryezë një propozim për të tejkaluar pengesën kyçe në lidhje me themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Portali francez shkruan se fatkeqësisht, sipas Borrellit, “asnjëra palë nuk ishte e gatshme të merrej vesh për këtë, pa parakushte të papranueshme për palën tjetër”. “Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje,” shtoi Borrell. “Përkundër kësaj oferte bujare të kryeministrit Kurti, presidenti serb Vuçiç ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën”, thanë në kabinetin e Kurtit. Vuçiç nga ana e tij tha se është “i gatshëm t’i nënshkruajë të gjitha, përveç pranisë së Kosovës në OKB dhe çështjes së pavarësisë së Kosovës”. PBS News raporton se bisedimet u ndërprenë të enjten pa asnjë shenjë përparimi, teksa kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandçr Vuçiç fajësuan njëri – tjetrin, për mungesën e progresit, siç kanë bërë me muaj të tërë. Agjencia Anadoll thekson se Serbia dhe Kosova nuk arritën të bëjnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve në bisedimet e së enjtes në Bruksel. Vuçiq u tha gazetarëve pas takimit se Serbia do paqe në të gjithë rajonin dhe do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi. Ai shtoi se do të bëjnë të pamundurën për t’i treguar botës se sa seriozë janë dhe kush e meriton besimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Bloomberg raporton se Serbisë dhe Kosovës iu tha të zbusin tensionet në rritje gjatë një takimi me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë në margjinat e samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Por takimi i së enjtes dështoi të prodhojë asociacion, një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.