Rajon
Kush do të jetë President i Malit të Zi
Millo Gjukanoviq ose Jakov Millatoviq, njëri prej tyre do të zgjidhet president i Malit të Zi, për një mandat pesëvjeçar, në rundin e dytë të zgjedhjeve të planifikuar për 2 prill. Ata fituan më së shumti vota në rundin e parë, të mbajtur të dielën, më 19 mars.
I pari, lider i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i shtetit, ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.
Tjetri hyri në politikë më pak se tre vjet më parë dhe është një nga drejtuesit e Lëvizjes ‘Evropa Tani’ – parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar.
Gjukanoviq, i cili i hapi derën kapitalit rus pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi më 2006, është një kritik i ashpër i politikave të Moskës, me të cilën marrëdhëniet u përkeqësuan në vitin 2014, kur Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.