Kronike
Kush e ekzekutoi Bledar Muçën? Autoritetet belge në Shqipëri
Vrasja e Bledar Muçës, i konsideruar si njeriu i besuar i Florenc Çapjas ka sjellë sërish në Shqipëri prokurorë dhe oficerë nga Belgjika.
Çapja është shpallur në kërkim për urdhërimin e vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit.
Mësohet se hetuesit janë në kërkim të provave për të hedhur dritë mbi mbi ekzekutimin e 43-vjeçarit në Antwerp.
Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se është ekzekutuar një letërporosi e autoriteteve belge të cilët, në kuadër të hetimeve, kërkonin autorizim për kontrollin e 3 banesave në Elbasan dhe pyetjen e disa personave, dëshmia e të cilëve konsiderohej e rëndësishme për çështjen.
Burimet janë të rezervuara për të konfirmuar nëse gjatë kontrollit të banesave janë gjetur prova që mund të ndihmojnë hetuesit belgë në zbardhjen e krimit që tronditi Belgjikën.
Sipas News 24, mësohet se është pyetur ndër të tjerë edhe Shkëlzen Hasanpapa, i dënuar për tentativën e vrasjes me pagesë ndaj Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2016.
Hasanpapa u arrestua në Holandë dhe ekstradua në Shqipëri, në 2017 dhe prej asaj kohë ndodhet në burg, ku dhe u pyet nga autoritetet belge, por rrëfimi i tij mbahet top sekret.
Bledar Muça miku i ngushtë i Florenc dhe Ardian Capja, nipit të Ardian Çapjas, ky i fundit i dyshuar si kreu i një grupi kriminal që urdhëron vrasje me pagesë, u ekzekutua me armë zjarri mesnatën e 22 janarit të dy viteve më pare ne qytetin Antwerp.
Mediat belge raportuan se në momentin që 43-vjecari mbërriti para pallatit ku banonte, dy persona që e prisnin e qëlluan për vdekje brenda makinës së tij.
Autoritetet belge dyshojnë se ekzekutimi është kryer nga vrasës me pagesë dhe shkaku është larja e hesapeve për përplasjet ne trafikun e drogërave të forta, por edhe përfshirja e tij në krime të rënda në Shqipëri. Identifikimi i Bledar Muçës ishte i vështirë, pasi ai përdorte pasaportë britanike.