Shkrime
Kush e orkestron Aleksandër Vuçiçin në Gjermani
“Aleksandër Vuçiç është një njeriu i fortë që duhet të parandalojë kaosin gjeopolitik në Ballkan dhe të sigurojë një klimë të këndshme investimesh. Në këmbim të kësaj utopia të Perëndimit, ai shkatërron demokracinë, duke ruajtur prej saj vetëm një fasadë” – Kështu shkruan Zidojce Zeitung.
“Sipas asaj që sunduesit e Serbisë kanë thënë së fundmi, mund të krijohet përshtypja se vendi është në luftë, ose të paktën se lufta është afër qoshes”, shkruan media gjermane
Mësohet se kryeministrja serbe Ana Brnabiç, e ka cilësuar misionin e vëzhgimit nga Parlamenti Europian, si dikush që “destabilizon” Serbinë. Presidenti Vuçiç i cilësoi “protestat masive kundër dhunës dhe mashtrimit zgjedhor” si një rebelim të orkestruar nga jashtë me qëllim fillimin e një “revolucioni me ngjyra” në Serbi – shkruan gazeta e Mynihut.
“Kush e shpëtoi vendin nga më e keqja në kohë të vështira? Shërbimi sekret rus, i cili, siç tha Brnabiq, i paralajmëroi me kohë autoritetet se çfarë po përgatitet në Beograd” – raporton Zidojce Zeitung.
Gazeta kujton se Vuçiç akuzoi një grup europarlamentarësh si ‘urrejtës të serbëve, pasi ata ngritën zërin që zgjedhjet e dhjetorit në Serbi, ishin të vjedhura.
“Për fat të mirë, ka një qëndrim të bashkuar europian kundër autokratëve dhe populistëve në Serbi” – shkruan gazetari Tobias Zik.
“Vendet e BE-së, mbi të gjitha Gjermania, janë ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Serbisë. Kompanitë gjermane financojnë pjesërisht makinën propagandistike të Vuçiçit duke publikuar reklama në mediat serbe të afërta me regjimin” – potencoi Zik për median gjermane.
Sipas raportimeve, Vuçiç deri tani ka qenë i sigurt se politikanët kryesorë të Bashkimit Europian, nuk do ta kritikonin, teksa ai e shndërroi ngadalë demokracinë në Serbi, në vetëm fasadë. Në veçanti, ka qene ish-kancelarja Angela Merkel e cila vlerësonte rolin e tij si “stabilokrat”, siç e quajnë kritikët me tallje. “Ai është një njeriu i fortë që duhet të parandalojë kaosin e madh gjeopolitik në Ballkan, t’u sigurojë partnerëve të huaj një klimë të këndshme investimi dhe në këmbim, të tolerohet krijimi i një sistemi politik ‘pjesërisht të lirë'” – thuhet në gazetë.
Në tekst, Zik vlerëson gjithashtu se Komisioni Evropian dhe Qeveria e SHBA-së kanë ende një qëndrim “të rezervuar” ndaj “manipulimeve të dokumentuara zgjedhore” dhe se mjetet e presionit janë të kufizuara.
“Partia në pushtet e Vuçiçit, me kalimin e viteve, është rritur në një aparat të fuqishëm klientelist që ndan vendet e punës në sektorin publik dhe drejton buxhetin e shtetit në ekonomi, fushata zgjedhore dhe propagandë” -vlerëson media gjermane
“Një sistem i tillë nuk mund të ndryshohet brenda natës. Shumë gjëra tregojnë se stabilokracia e tij Vuçiç do vazhdojë të ekzistojë për një kohë të gjatë. Çmimin e paguajnë ata njerëz që pa u lodhur, me mijëra, dalin në rrugë për të kërkuar demokracinë e vërtetë – edhe pse me kalimin e viteve shpresa e tyre për mbështetjen e BE-së është zbehur shumë” – theksoi autori I shkrimit, Tobias Zik