Kronike
Kush është 27 vjeçari që shantazhonte të miturat në rrjete sociale dhe u kërkonte marrëdhënie seksuale
Personi që shihni në foto është 27 vjeçari Benard Çullhaj i cili është arrestuar nga policia për shantazh ndaj të miturave të cilat i kërcënonte në rrjetet sociale nëse nuk i dërgonin foto intime.
Çullhaj deklaron para hetuesve të krimit kibernetik të Tiranës se “po bëja shaka” për të gjitha mesazhet që u ka dërguar vajzave të mitura, dhe jo vetëm, përmes rrjeteve sociale.
Atij i janë gjetur me dhjetëra komunikime në celularin që tashmë është në duar të hetuesve, ndërsa të njëjtën praktikë e ka kryer me shumë vajza të tjera, të cilave u ka kërkuar marrëdhënie seksuale dhe u ka hapur profile në emrin e tyre.
Burime pranë krimit kibernetik bëjnë me dije se janë administruar dhjetëra biseda me vajza të ndryshme, të cilave ai u ka shkruar fjalë nga më të ndyrat, nga kërcënimet tek sharjet, të cilat do të shërbejnë si provë në vijimësi të hetimeve për 27-vjeçarin.