Politike
“Kuvendi të kthehet në…”/ ISP: Spiropali mesazh Tavos para se të shpallej fitorja
Insituti i Studimeve Politike ka reaguar së fundmi lidhur me mesazhin e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit për fitoren e Vangjel Tavos në zgjedhjet e Himarës. Përmes një postimi në Facebook, ata shprehen se deklarat e kryeparlamentares, është bërë para se Komisioni Qendror Zgjedhor të konfirmonte përfundimin e procesit dhe dhënien e mandatit për kryetarin e ri të bashkisë. Sipas tyre deklarata e Spiropalit përmban komente me natyrë partiake.
Instituti i Studimeve Politike, duke e konsideruar këtë rast si incident të panevojshëm dhe ndoshta pjesë emocionale e klimës festive të zgjedhjes së re në krye të Kuvendit, sugjeron që Kuvendi të shmangë praktika të tilla dhe të rikthehet në pozitën e vet kushtetuese.
Më tej thuhet se kryetarja e Kuvendit përfaqëson jo vetëm forcën politike preferenciale por vetë Kuvendin, ku bëjnë pjesë të gjitha forcat politike parlamentare dhe se pozita e Kryetarit të Kuvendit lidhet me përfaqësimin e institucionit dhe administrimin e aktivitetit parlamentar.
POSTIMI I PLOTË-
Përmes një njoftimi zyrtar në faqen e Kuvendit (www.parlament.al) kryetarja e Kuvendit ka publikuar një deklaratë politike lidhur me procesin zgjedhor në Himarë. Deklarata, e cila është bërë përpara se zyrtarisht KQZ të konfirmojë përfundimin e procesit dhe dhënien e mandatit për kryetarin e ri të bashkisë, përmban komente me natyrë partiake (ndaj procesit dhe votuesve) dhe konsiderata personale (ndaj kandidatit fitues).
Referuar monitorimit të Kuvendit ndër vite, rezulton se kjo është hera e parë gjatë 34 viteve jetë parlamentare kur kryetari i Kuvendit përmes një qëndrimi zyrtar në emër të Kuvendit shprehet për një proces zgjedhor, sidomos për një proces zgjedhor lokal që nuk ka lidhje dhe as ndikim në përbërjen e parlamentit. Publikimi i deklaratës me natyrë partiake dhe qëndrimit personal ndaj një procesi politik ende të pambyllur dhe një politikani lokal, përbën jo vetëm një precedent negativ, por me shqetësim mund të jetë edhe një paralajmërim për trendin shqetësues të zhvendosjes së institucionit të Kuvendit nga pozita e vet kushtetuese dhe ligjore.
Instituti i Studimeve Politike (ISP), duke e konsideruar këtë rast si incident të panevojshëm dhe ndoshta pjesë emocionale e klimës festive të zgjedhjes së re në krye të Kuvendit, sugjeron që Kuvendi të shmangë praktika të tilla dhe të rikthehet në pozitën e vet kushtetuese, duke respektuar standardet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale, të cilat tri dekada nga ndryshimi politik do të duhej të ishin arritur edhe nga Shqipëria.
Praktika të tilla nuk gjenden në asnjë vend të BE, ndaj është koha për theksimin e apelit që institucioni të mos përdoret për debate politike ditore që nuk lidhen me Kuvendin dhe as me kalendarin, agjendën apo përbërjen e tij. Koncepti se institucioni njësohet me individin drejtues të radhës është i gabuar, parademokratik dhe në thelb, në kontrast me parimet kushtetuese të organizimit shtetëror.
Kryetari i Kuvendit përfaqëson jo vetëm forcën politike preferenciale por vetë Kuvendin, ku bëjnë pjesë të gjitha forcat politike parlamentare. Pozita e Kryetarit të Kuvendit lidhet me përfaqësimin e institucionit dhe administrimin e aktivitetit parlamentar. Sipas Rregullores së Kuvendit, kryetari “përfaqëson Kuvendin, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe për sigurimin e kushteve të nevojshme Kuvendit dhe strukturave të tij”. Pjesa tjetër e përgjegjësive është teknike, lidhet me procedurat e punës në Kuvend dhe delegacionet. Kryetarja e re e Kuvendit premtoi në fjalimin paszgjedhor se do të respektojë Rregulloren e Kuvendit, Kodin e Etikës dhe praktikat e mira parlamentare; reflektimi ndaj rasteve të tilla kritike janë teste për të kaluar nga deklarimi te veprimet konkrete që jetësojnë premtimet dhe parlamtarizmin me integritet.