Kosova
“Lajçak nuk është neutral në dialog”, Prishtina kundër BE: Nuk na trajton në mënyrë të barabartë
Hezitimi i Bashkimit Europian për të hequr masat ndëshkuese, po teston durimin e Kosovës, e cila po bëhet gjithmonë e më e zëshme kundër qëndrimit të Bllokut.
Zv.Kryeminsitri Besnik Bislmi, i cili prej ditësh po i mëshon nevojës për ndryshim të qasjes, e akuzoi BE për qëndrim të njëanshëm. Para komisionit parlamentar për integrimin europian, ai renditi disa prej rasteve kur ndërmjetësuesi i dialogut Miroslav Lajçak nuk ka qenë neutral në këtë proces ndërsa bëri thirrje për trajtim të barabartë.
“Ka një sërë rastesh apo procesesh kur ne besojmë se lehtësuesi është dashur të mbajë një qëndrim të balancuar ose të mos mbajë qëndrim. Një prej rasteve është propozimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave edhe për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara në Beograd. Ka një qëndrim të përfaqësuesit special se kjo temë nuk është trajtuar në dialog. Rrjedhimisht sipas këtij interpretimi, vendimi i Komisionit për lejimin ose jo të vizave për mbajtësit e pasaportave ilegale nuk duhet të ndërlidhet me procesin e dialogut. Në anën tjetër, Lajçak është udhëheqës i procesit të dialogut dhe duhet të jetë i paanshëm.
Gjëja më e mirë do të ishte të mos mbante qëndrim, ndërkohë ne kemi rastin se zyra e Lajçak ka mbajtur qëndrim agresiv në favor të mbështetjes së këtij propozimi. Kjo për neve është shumë shqetësuese dhe këtë ia kemi thënë edhe Lajçak, se ai duhet të mbajë qëndrim neutral. Rasti i dytë ka të bëjë me zgjedhjet në veri.”
“Është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian sa më shpejt t’i tërheqë masat represive ndaj Kosovës, pasi Kosova ka përmbushur kërkesat bazë para vendosjes së masave dhe kemi një situatë të qetë dhe përmes heqjes së masave, atëherë i gjithë fokusi kthehet në avancimin e integrimit evropian të Kosovës…
Bislmi ripërsëriti nevojën për të ndarë procesin integrues të Kosovës me dialogun. Në kundërpërgjigje të deklaratës së zëdhënësit të BE, Peter Stano, se presin rezultatin e hetimeve për Banjskën, zv.kreyministri sqaroi se ekzekutivi ka bërë një raport prej 48 faqesh të cilin ja ka dërguar Bllokut.
Sipas tij nevojitet që prokuroria të bëjë publik në tërësi raportin dhe të lëshojë fletë arresti për Radojçiç dhe kriminelët e tjerë që kanë marrë pjesë në agresionin terrorist ndaj Kosovës.