Connect with us

Kosova

Lajçak: Zgjedhjet në Veri ishin mina që i shkelëm…

Marrëveshja e dakordësuar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të lehtësuesin e këtij procesi, Miroslav Lajçak, është një moment historik. Megjithatë rruga e cila të shpie deri te zbatimi i saj në përpikëri, për të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, është e minuar. “Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit në komunat veriore ishin njëri prej minave dhe për fat të keq ne shkelëm atë. Aktualisht fokusi ynë nuk është te normalizimi, por te menaxhimi i krizës”, ka thënë Lajçak në një intervistë për mediumin austriak, Kurier. I pyetur për kritikat e parashtruar ndaj tij se është i anshëm në procesin e dialogut, Lajçak potencon se paanshmëria është prioriteti i tij. “Marrëdhëniet mes BE-së dhe Serbisë janë komplekse, siç janë edhe ato mes BE-së dhe Kosovës. Puna e paanshme është prioriteti im”. Duke folur për pesë shtetet mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës brenda Unionit, Lajçak, shton se të njëjtit po përcjellin me vëmendje epilogun e dialogut në mes të Kosovës dhe Sebrisë. “Rezultati cilido qoftë ai do të ndikojë tek ata. Por të gjithë duan një normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe mbështesin marrëveshjen e marsit”. Më tej diplomatik sllovak ka thënë se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ashtu edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e kuptojnë sa i rëndësishëm dhe në të njëjtën kohë sa i vështirë është procesi i dialogut për ta. “Edhe Kurti edhe Vuçiç e dinë se çdo gjë për të cilën bien dakord do të shikohet nga afër nga qytetarët e tyre dhe publiku. Për shkak të këtij presioni, atyre iu desh një kohë që të krijonin një marrëdhënie pune. Mbaj mend që takimi i parë në 2021 nuk ishte i lehtë. Më pas ata mësuan të dëgjonin njëri-tjetrin dhe të mos pajtoheshin me respekt në vend që të fyenin njëri-tjetrin. Tani i jemi kthyer menaxhimit të krizave”.

Advertisement