Politike
“Lajthitje e rrezikshme”/ Rama i kthehet keq Berishës: 95% e prindërve na kanë kërkuar që ta mbyllim TikTok-un

Kryeministri Edi Rama, përmes një video-mesazhi në Facebook, ka adresuar vendimin për mbylljen e TikTok-ut në Shqipëri, duke theksuar se kjo masë ka ardhur pas kërkesave të shumicës së prindërve dhe mësuesve në Këshillimin Kombëtar. Sipas tij, ky vendim nuk ka lidhje me lirinë e fjalës apo zgjedhjet, por me sigurinë e fëmijëve në internet.
“95% e prindërve dhe mësuesve na kanë kërkuar që ta mbyllim TikTok-un sa më shpejt. Ne jemi futur në dialog me kompaninë dhe presim që brenda pak muajsh ajo të na paraqesë një plan të qartë për sigurinë e fëmijëve,” – deklaroi Rama. Ai shtoi se mbyllja është përkohshme dhe se do të zgjasë deri në momentin kur TikTok të ofrojë garanci të plota për mbrojtjen e të miturve.
Në këtë mesazh, Rama ironizoi edhe opozitën dhe kreun e PD, Sali Berisha, duke e quajtur atë sërish si “bufi i kënetës” dhe duke kritikuar qëndrimin e tij lidhur me protestën e thirrur kundër mbylljes së TikTok.
“Bufi i kënetës i bën thirrje fëmijëve të mos shkojnë në shkollë dhe prindërve t’i bashkohen protestës për TikTok-un. Kjo është filozofia e opozitës: të helmojnë debatin politik dhe të përdorin çdo temë për të sulmuar,” – u shpreh Rama.
Ai e konsideroi këtë qëndrim një “lajthitje të rrezikshme”, që sipas tij, ka kaluar nga politika në përfshirjen e fëmijëve në beteja politike. “Nuk është më për të qeshur kur kjo shkon deri te fëmijët,” – shtoi ai.
Në përfundim, kryeministri theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment kritik për të ardhmen e saj dhe se zgjedhja është mes “hyrjes në Evropë” apo “zhytjes në kënetën e së shkuarës”.

